VIDEO / Kualifikohen skuadrat “big” në çerekfinale të FA Kupës së Anglisë
Skuadra e Çellsit vuajti jo pak ndaj Lids Junajtedit, megjithatë ia doli të triumfojë me rezultatin 3-2 dhe të kualifikohet në fazën çerekfinale të FA Kupës. Londinezët u ndëshkuan që në start nga ana e Zhozefit, megjithatë përmbysën shpejt rezultatin falë golave të Xhekson dhe Mudrik. Zhosef riktheu edhe një herë baraspeshën në minutën e 59’ dhe kur dukej se sfida do të mbyllej në barazim, ishte kapiteni Gallager, ai që shënoi golin e fitores dhe kualifikoi blutë e Londrës në fazën çerekfinale. Ky rezultat është mjaft i rëndësishëm për skuadrën e Poketinjos, që pasi dështoi në finalen e “EFL Kupës”, ka tashmë një tjetër mundësi për të fituar trofe, ndonëse rruga është ende e gjatë dhe e vështirë.
Siguroi kualifikimin më tej edhe Man. Junajted. ”Djajtë e kuq” vuajtën jo pak në transfertën ndaj Notingam Forest, ndeshje e cila për minuta të tëra u mbërthye në barazim 0-0, por në minutën e 89’ ishte mesfushori brazilian Kasemiro, që shënoi dhe kualifikoi Man. Junajtedin në çerekfinale.
Nuk zhgënjejnë as të rinjtë e Liverpullit, të cilët pasi morën sërish besimin e Klopit, ia dolën të triumfojnë me rezultatin 3-0 ndaj Sautemptonit dhe të kualifikojnë “The Reds” në çerekfinale. Koumas në pjesën e parë dhe Dans dy here, në të dytën, shënuan për Liverpullin në suksesin ndaj “shenjtorëve”.
Sfida tjetër e mbrëmjes ishte ajo mes Vollvesit dhe Brajtonit, me “ujqërit” që shënuan që në minutën e dytë me Lemina dhe më pas u mbrojtën me fanatizëm, duke siguruar kalimin në çerekfinale.