(VIDEO) Qyteti i Shkupit premton mjete financiare për Urën e Llokës
Komuna e Gjorçe Petrovit nuk e ndjen veten kompetente për ndërtimin e urës që lidh fshatin Llokë me pjesën tjetër të qytetit. Kryetari i Komunës së Gjorçe Petrovit, Aleksadar Stojkoski, në një prononcim për TV Shenja tha se kompetent për ndërtimin e objekteve mbi shtratin e lumit Vardar, që në këtë rast është ura e fshatit Llokë janë kompetencë e Qytetit të Shkupit. Stojkoski tha se objekte të tipit të tillë nuk mund të ndërtojnë as komuna e Sarajit as ajo e Gjorçe Petrovit.
ALEKSANDAR STOJKOSKI, KRYETAR I KOMUNËS SË GJORÇE PETROVIT
“Nuk e di se si qëndron me çështjen e dokumentacionit, megjithatë, si e tillë është nën ingerenca të Qytetit të Shkupit. Lumenjtë dhe shtretërit e lumenjëve dhe rregullimi i tyre dhe ndërtimi i objekteve, respektivisht urave janë nën ingerencë të Qytetit të Shkupit”.
Meqë, komunat Saraj dhe Gjorçe Petrov nuk janë kompetent, për ndërtimin e urës së famshme e pyetëm edhe Qytetin e Shkupit. Nga atje i thonë se kanë njohuri për këtë pikë dhe për të ardhmen do të ndajnë mjete buxhetore në të ardhmen.
QYTETI I SHKUPIT
“Qyteti mbetet i përkushtuar ndaj zhvillimit të balancuar rajonal dhe përmirësim të kushteve për të gjithë banorët e Shkupit. Dëshirojmë të ju njoftojmë dhe të ju informojmë se kemi njohuri për projektin që ju po flisni dhe do të merret parasysh në të ardhmen, kur edhe të ketë shpërndarje të mjeteve buxhetore”.
Një javë më parë, kreu i Sarajit premtoi se brenda këtij viti do të përfundojë projektimi i urës që lidh Llokën me Gjorçe Petrovin. Ndërkaq, kërkesat e qytetarëve shkojnë përtej ndërtimit të urës, përveç ndërtimit të saj, ata kërkojnë edhe ndërtimin dhe asfaltimin e rrugës përtej urës, nga ana e Gjorçe Petrovit.
Mevludin Imeri /SHENJA/