(VIDEO) Selmani: Ruajtja e gjuhës shqipe ishte mesazhi kyç i Samitit në Tiranë
Ruajtja e gjuhës shqipe si shtyllë themelore e identitetit kombëtar ishte mesazhi kryesor i Samitit të Diasporës në Tiranë, deklaroi konsulli i nderit i Republikës së Shqipërisë në Manastir, Imer Selmani gjatë emisionit “Debat në SHENJA”. Sipas tij, theksi u vendos te rëndësia e përdorimit dhe kultivimit të gjuhës në vendet ku jetojnë shqiptarët, përfshirë Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Imer Selmani, Konsulli i nderit i Republikës së Shqipërisë në Manastir
“Një prej mesazheve kryesore ishte ruajtja e gjuhës, si një ndër shtyllat kryesore të entitetit tonë kombëtar dhe jo vetëm. Por gjuha, format dhe mënyrat e përdorimit të gjuhës nga shteti ku jetojmë ne, Republika e Maqedonisë së Veriut, Serbia, Lugina e Preshevës, Greqia, Mali i Zi, me një porosi shumë të rëndësishme nga ministri i jashtëm dhe kryeministri. Një falënderim shumë të veçantë, për gjithë mësuesit dhe mësueset, të cilët janë duka mbajtur orë nëpër shkolla të ndryshme në shtetet europiane, të cilët gjeneratës, e cila lindet atje, ua mundëson të njihen më mirë, në formën më zyrtare, me gjuhën amtare”.
Ndërkaq sa i përket pjesës politike në vend Selmani kritikon koalicionin VLEN duke theksuar se duhet të fokusohet më shumë tek qytetarët dhe realizimi i projekteve të premtuara, sesa te organizimi i brendshëm. Ai thotë se ne kemi nevojë edhe për opozitë të fuqishme por kemi nevojë edhe më shumë për një pushtet të fuqishëm, një zë të fuqishëm me funksionarë me integritet me dije.
Anida Murati /SHENJA/