(VIDEO) Shporta minimale 1.115 euro, 54 denarë më pak se muajin e kaluar
Shpenzimet minimale për një familje 4 anëtarëshe vazhdojnë të jenë të larta, madje edhe të papërballueshme. Ajo prej kohësh ka kaluar shifrën e mbi 1 000 euroshit. Shporta konsumatore edhe e muaiit maj është 68.743,00 denarë, e cila ka pësuar një rënie pothuajse të padukshme prej 54 denarësh, krahasuar me muajin prill, kur ishte 68.797,00 denarë. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë LSM thekson se, pavarësisht uljes minimale mujore, kostoja e jetesës mbetet e lartë për shumicën e familjeve.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë
“Struktura e shpenzimeve mujore për një familje përfshin pjesën më të madhe për ushqim dhe pije (25.475 denarë ose 37,1%), më pas për banim, ujë, energji elektrike dhe ngrohje (6.338 denarë), si dhe për veshmbathje dhe këpucë (6.334 denarë)”.
Lidhja thekson se shpenzime të tjera përfshijnë transportin, komunikimet, rekreacionin dhe kulturën, arsimin, restorantet dhe hotelet, si dhe kategori të tjera të shërbimeve dhe mallrave bazë. Në rastin e një qiraje për banesë prej 60 m², shporta sindikale minimale rritet drastikisht në 84.117,00 denarë, ku vetëm shpenzimet për banim dhe shërbime komunale arrijnë në 21.713 denarë.
Shporta konsumatore vitet e fundit pëson rritje të vazhdueshme nga muaji në muaj, duke goditur drejtëpërdrejtë standardin jetësor të qytetarëve.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/