(VIDEO) Shtrenjtimi i derivateve të naftës, opozita akuzon pushtetin për keqmenaxhim të situatës
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reagur pas rritjes së çmimeve te derivateve të naftës, duke akuzuar qeverinë se ka dështuar në menaxhimin dhe zbutjen e pasojave të një krize që ishte e paralajmëruar prej javësh dhe se ky nuk është rast i izoluar. Albana Mustafa nga BDI theksoi se këto zhvillime paralajmëroheshin prej javësh dhe sipas saj Qeveria kishte kohë të mjaftueshme për të planifikuar dhe për të ndërmarrë masa parandaluese ku shtoi se sot qytetarët përballen me mungesa, pasiguri dhe çmime në rritje. Mustafa njoftoi se si BDI propozojnë të merren urgjentisht masa përmes Kuvendit dhe institucioneve kompetente
ALBANË MUSTAFA, BDI
“Duke pasur parasysh deklaratat e institucioneve kompetente se shteti disponon rezerva të naftës për rreth 62 ditë, këto rezerva duhet të hidhen menjëherë në treg me çmim maksimal prej 71 denarë për litër. Duhet theksuar se këto sasi janë blerë me çmime edhe më të ulëta se ky nivel. Po ashtu, qeveria duhet të shqyrtojë menjëherë mundësinë e uljes së barrës fiskale për derivatet e naftës, përfshirë akcizat dhe detyrimet tjera, me qëllim stabilizimin e çmimeve dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve”.
Mustafa kërkoi që shërbimet inspektuese të veprojnë menjëherë për të verifikuar se çfarë sasie nafte kanë pasur pikat e furnizimit para ditës së hënë dhe se për operatorët që gjatë fundjavës dhe ditës së hënë nuk kanë furnizuar qytetarët me karburant, të ndërmerren masa dhe sanksione në përputhje me ligjin theksoi Mustafa.
Ndërkaq, partia opozitare LSDM ka kritikuar mënyrën e përcaktimit të çmimeve nga ana e Komisioniot Rregullator të Energjetikës, e cila i cakton çmimet një herë në javë. Nga LSDM thane se, çmimet do të duhej të përcaktoheshin çdo ditë, në varësi të lëvizjes së çmimit të naftës në bursat botërore dhe jo sikurse tani në çdo 7 ditë.
LSDM
“Po të vlente ende mënyra e vjetër e llogaritjes, sot Komisioni Rregullator do ta ulte çmimin e karburanteve dhe që nga nesër qytetarët do të blinin dizel dhe benzinë më të lirë. Kështu, për shkak të vendimeve të nxituara dhe të dëmshme të Komisionit, qytetarët gjatë gjithë javës do të paguajnë derivate më të shtrenjta, rreth 3 milionë euro më shumë vetëm për 7 ditë”.
LSDM shtoi se sot çmimi i naftës në bursa sillet nga 84 deri në 86 dollarë për fuçi dhe është më i ulët krahasuar me çmimin prej 96 eurove të premten, i cili sipas tyre ka krijuar mesataren e lartë për shtrenjtimin e djeshëm prej 20% të çmimit të dizelit. /SHENJA/