(VIDEO) Sindikata bllokoi Qeverinë, ose minimale 600 euro, ose grevë
Ashtu siç ishte paralajmëruar, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë bllokoi qeverinë. Kërkesat janë të njejta. Ata kërkuan që të propozohen ndryshime në Ligjin për pagën minimale, me të cilat paga minimale të rritet në 600 euro, ndërsa të gjitha pagat e tjera të rriten për të paktën 100 euro.
Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov, deklaroi se LSM lë hapësirë për marrëveshje deri në fund të shkurtit, ndërsa nëse nuk arrihet marrëveshje, ai tha se në gjysmën e parë të marsit do të mbahet grevë e përgjithshme dhe protestë e punëtorëve nga të gjitha qyetet. Deri atëherë nuk përjashtohet mundësia e bllokadave të targetuara edhe në qytete të tjera të vendit. Sipas tij, kërkesat e sindikatës nuk janë politike, por ekzistenciale dhe burojnë nga nevoja për paga të drejta dhe kushte më të mira pune.
SLLODOBAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LSM-SË
“Dëshirojmë t’u dërgojmë mesazh, se në qoftë se deri në fund të këtij muaji nuk dakordohen dhe nuk ulemi bashkërisht për të diskutuar për rritjen e pagave konform kërkesave tona, do të organizojmë grevë të përgjithshme, të shoqëruar me protestë të përgjithshme, të cilën do ta organizojmë jashtë orarit të punës, gjatë fundjavës, ku do të ftohen të gjithë punëtorët të cilët vlerësojnë se pagat e tyre janë të ulëta. Për të gjithë punëtorët do të organizojmë transport, në mënyrë që të mos ketë asnjë arsye për mosardhjen e tyre.”
Sipas tij, Qeveria në mënyrë të pabazë i ka refuzuar argumentet e sindikatës. Kjo protestë pasoi pas protestave të fundit para Kuvendit dhe odave ekonomike, ku gjithashtu u përsëritën kërkesat e punëtorëve. Ata theksojnë se LSM mbetet në kërkesat për rritjen e pagave me arsyetimin se po rriten shpenzimet e jetesës dhe vlera e shportës sindikale të konsumit, e cila në janar krahasuar me dhjetorin është rritur për pothuajse një mijë denarë.
Përllogaritjet e LSM tregojnë se në janar vlera e shportës sindikale ka qenë 66.413 denarë.
Samir Mustafa /SHENJA/