Videoklipi për pavarësinë e RMV-së, BDI: Përmban vetëm elemente maqedonase
Edhe dy ditë pas publikimit të spotit për pavarësinë e Maqedonisë së Veriut nga kryeministri Hristijan Mickoski, vazhdojnë reagimet dhe kritikat. Bashkimi Demokratik për Integrim i ka ndarë vërejtjet e tij për këtë spot. Kritika kryesore e tyre qëndron në atë që siç thonë shqiptarët nuk ekzistojnë në rrëfim, ndërsa shtojnë se Qeveria ka zgjedhur të paraqesë një version ekskluzivisht maqedonas të tij.
Bashkimi Demokratik për Integrim
“Spoti është vetëm në gjuhën maqedonase. Artistët janë maqedonas. Në spot nuk ka Marrëveshje të Ohrit, dokumentin që i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe vendosi themelet e karakterit multietnik të shtetit. Nuk ka anëtarësimin në NATO – një nga arritjet më të mëdha strategjike të vendit. Nuk ka Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian”.
Ndërsa shqetësues sipas tyre është edhe pjesëmarrja në spot e një prej figurave qendrore të Igor Durlovski, i cili emër i lidhur drejtpërdrejt me ngjarjet e 27 prillit 2017, kur turma hyri dhunshëm në Kuvend pas zgjedhjes së kryetarit të parë shqiptar i Kuvendit.
LSDM përveç që kritikoi spotin i cili sipas tyre ishte më shumë promovim i VMRO-DPMNE-së sesa një video për 35-vjetorin e shtetit. Ata kërkuan përgjegjësi edhe për skandalin me flamurin i cili u paraqit në shënimin e pavarësisë që u mbajt në Ohër, ku në skenografi u shfaq flamuri me 12 rreze në vend të 8.
Andrej Zhernovski, LSDM
“Dhe në vend që të thoshin se kush është përgjegjës, në vend që të shpjegonin se sa para kushton ky poshtërim dhe, më e rëndësishmja, në vend që t’u kërkonin falje qytetarëve që ua poshtëruan ndjenjat, dje u përpoqën të justifikoheshin me një shpjegim komik se ajo që pamë me të ashtuquajturin flamur maqedonas ishte në fakt, besoni ose jo, një ‘instalacion arti’.
Ndërsa VMRO ju përgjigj përmes një komunikate duke thënë se LSDM përmes reagimeve të saj është kundër shënimit të pavarsisë dhe gjithëçkaje që është në interes të shtetit.
Përmbajtjen e spotit e kritikoi edhe Aleanca për Shqiptarët. Nga ASH vlerësuan se është e papranueshme që një material zyrtar, i financuar edhe nga taksat e qytetarëve shqiptarë, të ndërtohet mbi atë që e cilësojnë si “narrativë njëetnike”. Ndërsa kërkojnë tërheqjen e tekstit.
Emine Ismaili /SHENJA/
