Vizita e ish-aktores së filmave për të rritur në Xhaminë Umajade në Damask shkakton polemika në Siri
Vizita e ish-aktores spanjolle të filmave për të rritur, Amarna Miller, në Siri ka shkaktuar debat të gjerë në rrjetet sociale, pasi ajo vizitoi disa nga monumentet më të njohura historike dhe fetare të vendit, përfshirë Xhaminë Umajade në Damask dhe qytetin antik të Palmirës.
Polemikat u shtuan pasi në pamjet e publikuara në rrjetet sociale ajo shfaqet edhe në shoqërinë e ministrit sirian të Kulturës, Mohammed Yassin Saleh, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë gjatë një vizite në Palmirë.
Në rrjetet sociale fillimisht u përhapën pretendime se Ministria e Kulturës kishte shpenzuar rreth 23.400 dollarë për udhëtimin e saj, përfshirë bileta të klasit të parë, akomodim në hotel dhe transport.
Megjithatë, platforma siriane për verifikimin e fakteve, Verify-Sy, publikoi një hulumtim në të cilin pretendimet për financimin shtetëror u cilësuan si të pabazuara.
Sipas platformës, zyrtarë të Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Turizmit kanë mohuar se Miller ishte ftuar zyrtarisht apo se vizita e saj ishte organizuar nga institucionet shtetërore.
Takimi me ministrat, sipas autoriteteve, ishte i rastësishëm
Sipas shpjegimit të një zyrtari që kishte qenë pjesë e delegacionit qeveritar, ministrat kishin hasur rastësisht në një grup turistësh gjatë vizitës në Palmirë dhe ishin ndalur për t’i përshëndetur, pa e ditur identitetin apo të kaluarën profesionale të tyre.
Ministria e Turizmit gjithashtu ka konfirmuar për Verify-Sy se Miller nuk kishte marrë ftesë zyrtare dhe se takimi kishte qenë rastësor.
Delegacioni qeveritar, sipas të njëjtave informacione, ndodhej në Palmirë për të shqyrtuar planet e zhvillimit të qytetit antik dhe të aeroportit të tij.
Miller: Kam udhëtuar me shpenzimet e mia
Gazetari sirian Ammar al-Mamoun ka bërë të ditur se kishte kontaktuar drejtpërdrejt me Millerin përmes Instagramit. Sipas tij, ajo kishte konfirmuar se udhëtimin në Siri e kishte financuar vetë dhe se nuk kishte marrë ftesë zyrtare nga autoritetet.
Ajo gjithashtu i kishte cilësuar pretendimet për financim nga qeveria si lajme të rreme.
Ndërkohë, pamjet e publikuara nga vizita e saj nuk ishin më të qasshme në llogarinë e saj në Instagram gjatë përhapjes së polemikave.
Kush është Amarna Miller?
Amarna Miller, e lindur në Madrid në vitin 1990, u bë e njohur ndërkombëtarisht për aktivitetin e saj në industrinë e filmave për të rritur, nga e cila u largua në vitin 2017.
Pas largimit nga kjo industri, ajo iu përkushtua shkrimit, aktivizmit feminist, udhëtimeve dhe krijimit të përmbajtjeve kulturore. Ajo gjithashtu ka studiuar artet figurative dhe kërkimet antropologjike, ndërsa drejton një agjenci udhëtimesh të quajtur „Tierra Ignota“.
Vizita e saj në Siri ka nxitur reagime të ndara. Një pjesë e opinionit publik e kanë kritikuar për të kaluarën e saj profesionale dhe praninë në objekte fetare, ndërsa të tjerë kanë mbrojtur të drejtën e saj për të vizituar vendin, duke theksuar se e kaluara profesionale nuk duhet të përcaktojë trajtimin ndaj saj./Shprehja