
VLEN ashpërson gjuhën: Oponentët i quan “medje të sëmura”
VLEN avancon fjalorin – Oponentët i quan medje të sëmura. Koalicioni VLEN reagoi ndaj kritikave të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) ndaj ministrit të Shëndetësisë, dr. Azir Aliu, duke e quajtur reagimin e tyre “hipokrizi më e madhe” nga një parti që sipas VLEN, për mbi dy dekada ka shkatërruar sistemin shëndetësor, veçanërisht Spitalin e Tetovës.
“Nëse sot kemi nevojë për një Qendër Klinike moderne në Tetovë, kjo është pikërisht për shkak të neglizhencës dhe dështimit të BDI-së, e cila 20 vite ka marrë pushtetin me votat e qytetarëve dhe ka kthyer vetëm zhgënjim,” – thuhet në reagimin e koalicionit VLEN.
VLEN vlerësoi gjithashtu mandatet e Arben Taravarit si ministër të Shëndetësisë, duke theksuar se gjatë një viti nuk u realizua asnjë projekt madhor dhe mbetën vetëm skandale, përfshirë tenderët e dyshimtë dhe abuzimet me licencat për kanabisin mjekësor.
“Ndryshe nga ata, Qeveria ku bën pjesë VLEN ka marrë vendim historik: mbi 70 milionë euro do të investohen në ndërtimin e Qendrës Klinike më moderne në rajon, në Tetovë, një investim që do t’i shërbejë jo vetëm qytetarëve të Pollogut, por gjithë Maqedonisë së Veriut. Po ashtu, po modernizojmë pajisjet, po përmirësojmë kushtet dhe po hapim vende pune për profesionistët e mjekësisë,” – shtoi reagimi.
VLEN përfundon me mesazhin se qytetarët e dinë kush ka shkatërruar shëndetësinë dhe kush po punon për ta rikuperuar atë:
“Ne do ta kurojmë shëndetësinë, por asnjëherë mendjen e prishur të BDI-së dhe Taravarit.” Flaka Media