VLEN: “One Stop Shop” me Shqipërinë forcon lidhjet ekonomike, turistike dhe familjare
VLEN ka përshëndetur vendimin për funksionalizimin e sistemit “One Stop Shop” në pikat kufitare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të menaxhimit kufitar dhe afrimit praktik të qytetarëve të dy vendeve.
Sipas VLEN-it, ky model paraqet një qasje të re ndaj kufirit, i cili nuk shihet më si pengesë administrative, por si një pikë lidhjeje që mundëson koordinim më efikas institucional dhe lëvizje më të shpejtë të qytetarëve.
Nga koalicioni vlerësojnë se zbatimi i sistemit pritet të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e pritjeve dhe ngarkesave sezonale në vendkalimet kufitare, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur fluksi i udhëtarëve mes dy vendeve rritet ndjeshëm.
VLEN thekson se, përveç aspektit teknik, ky zhvillim përfaqëson edhe një mesazh politik për forcimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe për thellimin e lidhjeve ekonomike, turistike dhe familjare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Sipas tyre, lëvizja më e shpejtë e njerëzve pritet të nxisë shkëmbimet tregtare, zhvillimin ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset lokale në të dy anët e kufirit.
VLEN kujton se modeli “One Stop Shop” tashmë po zbatohet edhe në kufijtë me Kosovën dhe Serbinë, duke kontribuar në krijimin e një standardi të përbashkët rajonal për lehtësimin e qarkullimit dhe rritjen e efikasitetit kufitar.
VLEN vlerëson se ky hap mund të shërbejë si shembull për avancimin e mëtejshëm të integrimit praktik rajonal, në përputhje me standardet evropiane të lëvizjes së lirë.