VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në për dezinformata rreth ujit në Shkup
Përplasja mes pushtetit dhe opozitës është zhvendosur edhe te çështja e sigurisë së ujit të pijshëm në Shkup.
VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në dhe kryetarin e saj, Venko Filipçe, se përmes rrjeteve sociale po përhapin informacione të pasakta dhe po krijojnë panik te qytetarët për cilësinë e ujit.
Sipas VMRO-DPMNE-së, informacionet për ujin e papërshtatshëm për pije janë demantuar nga institucionet kompetente. Partia në pushtet thotë se institucionet kanë publikuar të dhëna zyrtare që, sipas tyre, tregojnë se pretendimet nuk janë të sakta.
VMRO-DPMNE gjithashtu njofton se Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur aktivitete për të zbuluar se nga ka ardhur informacioni dhe kush është përgjegjës për përhapjen e tij.
Nga partia thonë se çështjet që lidhen me shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve nuk duhet të përdoren për përplasje politike. Ata i bëjnë thirrje LSDM-së që, në vend të asaj që e quajnë “dezinformata dhe frikë”, të ofrojë zgjidhje konkrete.
