VMRO kërkon hetim për ujin në Gostivar edhe ndaj ish funksionarëve të LSDM-së
Partia në pushtet VMRO-DPMNE, kërkon nga Prokuroria Publike që të hetojë edhe përgjegjësinë e ish-pushtetit për gjendjen me ujin në Gostivar dhe të përcaktojë nëse ka pasur mosveprime institucionale që kanë rrezikuar shëndetin e qytetarëve. VMRO-DPMNE, akuzon ish-ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe partinë që tani më ai udhëheq LSDM-në, se për vite me radhë kanë qenë në dijeni për problemet me ujin në Gostivar, por nuk kanë ndërmarrë masa për zgjidhjen e tyre. Martin Andonovski nga kjo parti theksoi se institucionet shtetërore gjatë qeverisjes së LSDM-së kanë dërguar raporte se uji në Gostivar nuk ishte i sigurt për pije, por këto informacione, sipas tyre, u janë fshehur qytetarëve.
MARTIN ANDONOVSKI, VMRO-DPMNE
“Prokuroria Publike duhet ta hetojë heshtjen e Filipçes dhe të pushtetit të LSDM-së, i cili ka lejuar që banorët e Gostivarit të helmohen me vite, pa e ditur se nga çfarë më pas u shkaktohen sëmundjet. Llumi i LSDM-së, të paktën ajo që mund të bënin, ishte të kërkonin falje dhe të dhuronin ndonjë pako me ujë për banorët, por këtë nuk e presim, sepse ata nuk kanë as nder dhe as reputacion”.
Sipas VMRO-DPMNE-së, problemi me ujin në Gostivar nuk është i ri, por është pasojë e neglizhencës shumëvjeçare të pushteteve lokale. Nga partia e Hristijan Mickoskit, akuzojnë gjithashtu Filipçen, BDI-në dhe partinë e Taravarit se në vend që të merren me zgjidhjen e problemit, po e politizojnë situatën. Ata pretendojnë se Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja ka siguruar ujë teknik për përdorim, ndërsa qytetarëve u shpërndahet çdo ditë edhe ujë i ambalazhuar për pije.
Samir Mustafa /SHENJA/
