Tabelat në Tabanoc edhe më tej me gabime drejtëshkrimore
Edhe pas disa denoncimeve nga Televizioni Shenja, tabela në pikën kufitare në Tabanoc, në gjuhën shqipe, vazhdon të qëndrojë me gabime drejtshkrimore. Televizioni Shenja ishte edhe sot në terren për të parë nëse është ndërmarrë ndonjë masë për korrigjimin e gabimeve. Por, edhe kësaj here, gjendja mbetet e njëjtë. Tabela vazhdon të jetë e vendosur me të njëjtat gabime, pavarësisht denoncimeve të bëra më herët.
Se pse nuk është marrë ndonjë masë e tillë, kërkuam përgjigje edhe nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore, por deri në këto momente nuk ka asnjë përgjigjje.
Kujtojmë se disa ditë më parë, në tabelën në hyrje të shtetit, ku shkruhej “Republika e Maqedonisë së Veriut”, përveç tre gjuheve maqedonase, angleze dhe frenge, mungoi gjuha shqipe, gjuhë që e flasin rreth 30 përqind të popullsisë në vend. Por, reagimet e forta në opinion, vunë në lëvizje institucionet, me çka rabela ndryshua dhe shqipja u vendos aty ku e kishte vendin, por me gabime drejtshkrimore, e cila vazhdonë të jetë e njejtë edhe sot.
Jo vetëm kaq, para pak kohe, gjuha shqipe u tentua të hiqej edhe nga tabela në pikën kufitare në Bllacë, e cila pas reagimeve të shumta menjëherë u ndryshua dhe në tabelë u kthye edhe gjuha shqipe dhe pa gabime drejtshkrimore.
Samir Mustafa /SHENJA/
