VMRO: Prokuroria të reagojë për dhunën në M-NAV
Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE kërkon nga Prokuroria që të ngrejë aktakuzë pas ndërhyrjes dhe sulmit fizik ndaj punonjësve të kontrollit ajror.
Nga VMRO-DPMNE thonë se pasi zyrtarët e BDI-së dhe LSDM-së kanë hasur në rezistencë nga punëtorët e M-NAV-së, për shkak të punësimit të kuadrove partiake dhe të pakualifikuar, me konkurse të montuara për punësim, kanë kaluar në presion dhe dhunë, vetëm për të hyrë njerëzit e tyre partiakë.
“Së pari kanë tentuar të thërrasin për bisedë kreun e Sindikatës në MPB, me pretekstin e gjoja kërcënimeve ndaj drejtorit të M-NAV-së, duke përdorur presione klasike. Në të njëjtën kohë, kur autoritetet panë se ky presion vetëm bashkoi punonjësit e këtij institucioni, ku rreth 30 punonjës kërcënuan me dorëheqje, filluan një operacion të ri të errët, ku përfshiheshin ushtarë partiakë dhe sulme të drejtpërdrejta fizike. Për çfarë qeverisje e kemi fjalën, kur një ushtri partiake mund të hyjë lirisht në një nga institucionet më të mbrojtura në Maqedoni dhe të kryejë sulme fizike ndaj kontrollorëve të trafikut ajror, vetëm pse ata u ngritën për të drejtat e tyre dhe për institucionin në të cilin ata profesionalisht janë duke punuar”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Ata shtojnë se “pas këtij skandali, deri më tani është dashur të ketë të paktën disa dorëheqje, nga drejtori i M-NAV-së, te ministri Boçvarski, e deri te kryeministri pa zë”.
“Në zgjedhjet e ardhshme qytetarët do të shprehin mendimin e tyre për të gjitha, për këtë nuk kemi asnjë dyshim. Nuk ka qenë kurrë më keq! Është e rëndësishme t’i mposhtim ata!”, thonë nga VMRO-DPMNE.