Vuçiq: Me armatosjen e Kosovës po shkelet Rezoluta 1244
“Shkatërrimi i rendit ndërkombëtar me armatosjen e Kosovës synon që, në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe Kartën e OKB-së, jo vetëm të heqë plotësisht nga Kosova gjurmët e ekzistencës së Serbisë, por edhe të popullit serb”. Kështu u shpreh presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një vizite në Qendrën Operative të Shërbimit të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake të Serbisë, teksa shtoi se Rezoluta 1244 e KS të OKB-së parasheh çmilitarizimin e Kosovës.
Ai tha se Agjencia e Sigurisë Ushtarake, përveç që është e rëndësishme për sigurinë e ushtrisë së Serbisë, e njëjta po ashtu monitoron gjithçka që ndodh në Zonën e Sigurisë Tokësore përgjatë kufirit me Republikën e Kosovës.
“Nuk duhet të pretendojmë të jemi të verbër ndaj asaj që po ndodh rreth nesh, e cila është në kundërshtim me normat juridike ndërkombëtare”.
“Duke shkelur Rezolutën 1244, ata kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Të ashtuquajturat forca të sigurisë së Kosovës, të cilat nuk mund të ekzistojnë sipas normave ndërkombëtare të së drejtës publike dhe sipas rezolutës 1244, pa prodhim vetanak, për momentin kanë gjithsej, së bashku me të ashtuquajturën Polici të Kosovë, 223 automjete të blinduara”, tha Vuçiq dhe shtoi se plani i tyre është që ai numër të rritet në 350.
Sipas tij, bëhet fjalë për mjete të blinduara lehtë, zakonisht për transportin e njësive të këmbësorisë.
“Përveç ‘gardianëve’, ka më së shumti ‘Humvee’, por ka edhe ‘Vuranë’ turk, ‘iriqë’, ‘kobra’ e të ngjashme. Këto janë të gjitha automjetet turke që kanë marrë”, thotë Vuçiqi, raporton “Tanjug”.
Ai theksoi se Rezoluta 1244 parasheh çmilitarizimin.
“Dhe ata e ndërtuan ushtrinë e tyre dhe vazhdojnë ta ndërtojnë atë ushtri. Ne nuk jemi aq të fortë sa Amerika, Anglia, Gjermania, Turqia, por mund t’i theksojmë gjithë botës se ata shkelin brutalisht normat e së drejtës publike ndërkombëtare, por atyre nuk u intereson kjo, ata janë të interesuar vetëm për interesat e veta”, tha presidenti i Serbisë.
Sipas tij, Kosova ka buxhetin me rritjen më të shpejtë për ushtrinë dhe policinë, të cilat nuk duhet të ekzistojnë sipas të drejtës publike ndërkombëtare.
“Në katër vitet e fundit ai buxhet është rritur më shumë se dy herë, të ashtuquajturat Forcat e Sigurisë së Kosovës po transformohen nën mentorimin e ShBA-së dhe duhet të arrijnë në 5500 pjesëtarë”, thotë Vuçiq.
Ai bëri të ditur se Serbia do të bëjë investime shumë më të mëdha në ushtri se ato të planifikuara në buxhet.
“Sot, të gjithë e kuptojnë pse është e rëndësishme të kemi një ushtri të fortë, pa të nuk do të mund të ekzistonim si vend”, theksoi presidenti serb.