Zjarrfikësit ankohen për paga të ulëta
Mungesa e punësimeve të reja, numri i ulët zjarrfikësve, makinat e vjetruara dhe pagat e ulëta, janë disa nga problemet me të cilat ballafaqohet brigada e zjarrfikësve të Shkupit. Komandanti i kësaj brigade, tha se është shënuar rritje e numrit të zjarreve. Për pesë muaj janë shënuar sur rreth 600 zjarre që është e pazakontë për këtë periudhë të vitit.
“Është evidente mungesa e punësimeve në njësit. Njësiti ynë për momentin numëron rreth 180 zjarrfikës. Për fat të keq kemi grup më të madh që gjatë periudhës së ardhshme do të shkojë në pension. Mungesa është e madhe dhe shpresoj se me pushtetin e ri qendror do të marrim pëlqim për punësimin e zjarrfikësve të rinj, që janë të domosdoshëm që ti kryejmë detyrat tona”, deklaroi Zvonko Tomevski, Komandant i brigadës së zjarrfikësve.
Cimevski është njëri prej të punësuarve në këtë njësit që këtë vit shkon në pension. Ai thotë se secili intervenim që e ka bërë gjatë jetës së tij I ka pasur rreziqet e veta.
“Në vit kam mbi 100 intervenime teknike, më shumë se 1000 zjarre. Domethënë 40 vite, llogarisni sa zjarre e sa intervenime teknike për shpëtim jetësh. Kështuqë secili intervenim ka rreziqet e saja, nuk do ta ndaja asnjë, domethënë, të gjitha janë kryer me efikasitet, ishin të rrezikshme për punë”, tha Sreçko Cimevski, Komandant në brigadën e Zjarrfikësve.
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, thotë se zjarrfikësit meritojnë paga më të larta por përcaktimet ligjore e kufizojnë atë dhe si qeverisje lokale nuk mund të shkojnë mbi ato që janë korniza ligjore. Thotë se do të kërkojnë intervenim nga pushteti qendror menjëherë pas formimit të qeverisë së re.
“Duhet të keni parasysh se për Qytetin e e Shkupit duhet të kemi në 1500 banorë nga një zjarrfikës. Që domethënë se minimum që duhet të kemi është mbi 450 zjarrfikës, për momentin kemi 180. Ajo që për ne është me rëndësi është se nuk marrim mjete as për këta 180”, u shpreh Danella Arsovska, Kryetare e Qytetit të Shkupit.
Në brigadën e zjarrfikësve ka interesim të ulët të femrave. Vetëm dy gra janë pjesë e kësaj brigade. /Alsat.mk