Zlatko Daliç shpalos listën preliminare të Kroacisë prej 35 lojtarëve për “EURO 2024”
Përzgjedhësi i Kroacisë, Zlatko Daliç, ka publikuar listën preliminare të lojtarëve tek të cilët llogarit për Kampionatin Evropian 2024 që do të zhvillohet në Gjermani. Kroacia gjendet në grupin B së bashku me Shqipërinë, Spanjën dhe Italinë.
Në listën e publikuar nga Daliç nuk mungojnë emrat si: Modriç, Kovaçiç, Brozoviç, Perishiç, Kramariç, Gvardiol dhe Vida.
Ndeshjen e parë kroatët do ta luajnë më datë 15 qershor në orën 18:00 ndaj Spanjës në qytetin e Berlinit. Në ndeshjen e dytë më 19 qershor, Kroacia do të luajë kundër Shqipërisë në ‘Volksparkstadion’ të Hamburgut. Ndërkohë ndeshjen që do ta mbyllë fazën e grupeve me 24 qershor, të besuarit e Zlatko Daliç do ta luajnë ndaj Italisë me fillim nga ora 21:00 në ‘Red Bull Arena’ të Leipzigut.
Trajnerët e kombëtareve pjesëmarrëse në Euro 2024 duhet ta dërgojnë në UEFA listën përfundimtare me 26 futbollistë të ftuar brenda datës 7 qershor. Kujtojmë që Euro 2024 do të luhet nga 14 qershori deri më 14 korrik, ndërsa finalja do të zhvillohet në qytetin e Berlinit.