Zyrtare, Dragusin firmos kontratën 5 vjeçare me Totenhamin
Skuadra e Totenhamit ia arriti më në fund të fitojë diçka. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin rumun, Radu Dragusin, i cili pas shumë ditësh aludimesh në media është transferuar te “gjigantët” e Londrës, me këta të fundit, që kishin jo pak nevojë për një qendërmbrojtës pas dëmtimeve të Kistian Romeros e Miki van den Ven.
Sipas raportimeve më të fundit, të gazetarit të mirënjohur sportiv, Fabrizio Romano, “londinezët” arritën të fitonin garën me skuadrat e Bajern Munihun, Milanin e Napolin, me presidentin Daniel Levi, i cili ishte i gatshëm t’u ofronte plot 30 milionë italianëve, si dhe shërbimet e anësorit, Djed Spence, deri në fund të këtij sezonit.
Paketa prej 30 milionë eurosh për skuadrën e Xhenoa-s do të ndahet në 25 milionë euro bazë, si dhe 5 milionë euro të tjera, në bonuse, që janë lehtësishet të arritshme. Përsa i përket kontratës personale, Dragusin ka firmosur me “londinezët” e Spurs, deri në vitin 2029, teksa do të përfitojë plot 3 milionë euro në sezon.