27 persona po hetohen për falsifikim të patentë-shoferëve
Prokuroria Themelore Publike Shkup ka iniciuar procedurë ndaj gjithsej 27 personave, si bashkëkryerës të veprës penale “Falsifikim i dokumentit”, lidhur me keqpërdorime gjatë lëshimit të patentë-shoferëve. Njëra nga të dyshuarat është e punësuar në MPB – Departamenti për Çështje Administrative në Shkup. Ajo dyshohet se, në periudhën prej gjashtë vitesh, duke përdorur kodin e saj zyrtar dhe autorizimet në sistemin elektronik, në mënyrë të kundërligjshme ka ndryshuar kërkesa të krijuara më parë për lëshimin e patentë-shoferëve nga punonjës të tjerë.
Katër persona dyshohen se kanë vepruar si ndërmjetësues, duke ndërmjetësuar, në marrëveshje dhe bashkëpunim me të punësuarën në MPB, për lëshimin e kundërligjshëm të patentë-shoferëve. Ata kanë gjetur persona të interesuar dhe i kanë lidhur me zyrtaren.
MPB
“Personat të cilëve u janë lëshuar patentë-shoferët, edhe pse nuk i plotësonin kushtet ligjore për kategoritë përkatëse, i kanë nisur procedurat duke paraqitur kërkesa. Më pas, kategoritë janë futur dhe miratuar në mënyrë të kundërligjshme në sistemin elektronik, ndërsa dokumentet e falsifikuara i kanë përdorur si të vërteta. Për këtë arsye, edhe ndaj tyre ekzistojnë baza dyshimi për veprën penale “Falsifikim i dokumentit” në bashkëkryerje”.
Për punonjësen e MPB-së, si dhe për dy persona të cilët në mënyrë të përsëritur kanë përdorur patentë-shoferët e falsifikuar për të drejtuar automjete në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit. Për gjithsej 17 persona janë propozuar masa kujdesi, ndërsa 7 persona deri më tani janë të paarritshëm për organet e ndjekjes.
Teuta Buçi /SHENJA/