Kuvendi njofton KQZ: Arben Ahmetaj humb mandatin e deputetit
TIRANË- Arben Ahmetaj e ka humbur mandatin e deputetit. Lajmi është konfirmuar nga Kuvendi, përmes një shkrese, që mban datën 8 janar 2024.
Kuvendi thotë se sipas ligjit, deputetët që nuk paraqiten në seancë në gjashtë muajit e fundit, e humbin mandatin dhe në këto kushte, Kuvendi ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për plotësimin e vendit vakant.
“Kuvendi i Shqipërisë në bazë të shkronjës ‘d’ të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Rregullores së Kuvendit, ju njofton mbarimin përpara afatit kushtetues të mandatit të deputetit të PS-së Arben Ahmetaj, për shkak të mungesës së tij pa arsye për mbi 6 muaj rresht në Kuvend. Kjo për arsye se seanca e fundit plenare ku deputeti Arben Ahmetaj ka marrë pjesë është data 6 korrik 2023” thuhet në shkresën e Kuvendit, drejtuar KQZ-së
Ndaj ish-ministrit SPAK ka ngritur akuzë për tre vepra penale, ndërsa është shpallur në kërkim në korrik të vitit të shkuar dhe prej 6 muajsh ndodhet në arrati. Ai akuzohet për korrupsion, fshehja apo mosdeklarim të pasurive dhe pastrim parash.