Atletiko hakmirret Realit dhe kalon në çerekfinale të Kupës
Atletiko triumfon në derbin e Madridit dhe kualifikohet në çerekfinalet e Kupës së Mbretit, ndërsa eliminoi Realin, në sfidën që përfundoi me rezultatin 4-2 pas kohës shtesë.
Ishte skuadra e Simeones ajo që zhbllokoi takimin me golin e realizuar nga Lino në minutën e 39’, megjithatë pjesa e parë u mbyll në barazim, pasi Oblak bëri autogol në minutën e 45+1’. Ndërsa në minutën e 57’ Morata riktheu avantazhin te ekipi i Atletiko-s, megjithatë Hoselu shënoi me kokë në minutën e 82’, duke barazuar dhe duke bërë që koha e rregullt të mbyllej me rezultatin 2-2.
Në minutën e 100’ Grizmann realizoi golin e tretë për skuadrën e “colchoneros”, teksa Rikelme vulosi këtë takim dhe bëri “poker” për Atletiko Madridin, me golin që realizoi në minutën e 119’.
4-2 dhe Atletiko Madrid shkon në çerekfinale të Kupës së Mbretit, duke marrë “hak” për eliminimin nga Superkupa pak ditë më parë, teksa rrugëtimi në Kupën e Mbretit për Real Madridin mbyllet në 1/8 e finales.