Një noter nga Tetova pa dijeninë e pronarit i ka bartur pronën një personi nga Kosova, duke i shkaktuar dëm prej 150 mijë eurove
SPB në Tetovë ka ngritur kallëzim penal kundër dy personave të cilët dyshohen për mashtrim.
Përkatësisht, i pari i paraqitur Z.Ç.(62), noter nga Tetova, dyshohet se ka kryer vepra penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “punë nga pakujdesia në shërbim” dhe “keqpërdorim i të dhënave personale, ndërsa ndaj të dytit Sh.A. (52) po ashtu nga Tetova është ngritur kallëzim penal për “keqpërdorim të të dhënave personale”, “falsifikim dokumentesh” dhe “dhënie deklaratë të rreme”.
I denoncuari i parë Z.Ç. si noter ka mundësuar që të dhënat personale të palës së dëmtuar të gjenden në rubrikën e noteres për nënshkrime pa qenë e pranishme në nënshkrim, si dhe nënshkrimi i saj në të.
I pandehuri i dytë, pasi ka keqpërdorur të dhënat e të dëmtuarit, së bashku me noterin kanë bërë prokurë të falsifikuar në favor të tij, ku duke dhënë një deklaratë të rreme dhe një deklaratë të nënshkruar të vërtetuar nga noteri, ka arritur t’i transferojë një tokë me sipërfaqe prej 30.000 m/2 një personi nga Kosova me marrëveshje dhe realizim me ndërmjetës.
Këta dy persona i kanë shkaktuar të dëmtuarit dëm material në shumë prej 150 mijë euro.(INA)