Çeferin: Përjashtimi i Man. Sitit për “Financial Fair Play” ishte i drejtë
Presidenti i UEFA-s, Aleksandar Çeferin, ka thënë se përjashtimi i Man. Sitit nga kupat e Evropës në shkurtin e 2020-ës dhe gjoba prej 25 milionë stërlinash ka qenë vendimi më i drejtë, të cilin mund të merrte qeveria e futbollit në kontinentin tonë. Çeferin ka insistuar se “Qytetarët” kanë thyer rëndë rregullat e “Financial Fair Play”.
Siç dihet klubi i sheikëve nga Abu Dabi arriti që të rifitonte të drejtën për të qenë pjesë e Ligës së Kampionëve, pasi i dha të drejtë Gjykata e Arbitrazhit, shtatë muaj më pas. Mes të tjerash Çeferin tregon se mirëkupton zemërimin mes tifozëve të skuadrave rivale të Sitit, të cilët shikojnë se një ekip nuk trajtohet si të gjithë të tjerët.
Man. Siti është në një situatë të vështirë edhe në Angli, pasi Premier Liga akuzon klubin në fjalë se ka shkelur plot 115 herë rregullat sa i përket financave. Premier Liga ka njoftuar se akuzat janë fryt i një investigimi të nisur në 2018-ën.
“Ne e dimë se kemi të drejtë. Nuk do të kishim marrë atë vendim nëse do të besonim të kundërtën”, tha Çeferin gjatë një interviste për “The Telegraph”.