
Deklaratat e Berishës dhe Ramës ndaj drejtësisë, GJK: E papranueshme të vihet në dyshim autoriteti i saj
Gjykata Kushtetuese, ka dalë me një deklaratë publike, pas disa deklaratave të bëra nga dy politikanët kryesorë të vendit, kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Kushtetuesja shprehet se duke marrë shkas nga këto deklaratat e bëra nga politika, dëshiron të sigurojë publikun se institucioni është e pavarur dhe nuk ndikohet nga palët e përfshira nëpër procese, për të marrë vendimmarjen e saj si gjykatë.
“Duke marrë shkas nga qëndrime dhe reagime të publikuara së fundi në media dhe në rrjete sociale nga përfaqësues të pushteteve të tjera, përfshi atë ekzekutiv, si dhe të vetë medias, Gjykata Kushtetuese siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj.
Gjykata Kushtetuese gjen rastin të ritheksojë se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve”, deklaron Kushtetuesja.
Ka qenë fillimisht kryeministri, Edi Rama, i cili një ditë më parë kritikoi kërkesën e bërë nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë tek Kushtetuesja për rritjen e pagave. Rama e cilësoi këtë kërkesë si skandaloze, teksa tha se kjo është një praktikë unikale dhe e padëgjuar në historinë e shteteve, që gjyqtarët i caktojnë vetes pagat përmes gjykatës, duke ndërhyrë në kompetencat e qeverisë për herë të dytë, pas asaj të bërë për administratën në vitin 2022. Kreu i qeverisë u shpreh se qeveria e pranoi në heshtje rritjen e pagave asokohe për të respektuar vendimin gjyqësor, por kërkon që kjo gjë mos të përsëritet.
“Kjo ndërhyrje skandaloze e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit, mesa duket, i ka shijuar Unionit aq shumë, sa pas rritjes së pagave të administratës në maj të vitit 2023, Unioni i Gjyqtarëve tani rikërkon përsëri nga Gjykata rritjen e pagave të gjyqtarëve! Këtë herë, Unioni kërkon që paga bazë të lidhet vetëm me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit në Kryeministri dhe kërkon sërish ndryshimin e ligjit. Ndërkohë që në vitin 2022 Unioni donte garantimin e një shume bazë pavarësisht çdo llogaritjeje, sot kërkon që, si pasojë e rritjes së pagës së administratës, t’u rritet paga edhe gjyqtarëve – dhe jo pak, por plot 700 euro.
Tani, unë uroj shumë që shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë – të cilën ne e pranuam në heshtje si një lajthitje që duhej kapërdirë për hir të respektit me heshtje të një vendimi të gjyqësorit – të mos përsëritet. Sepse heshtja ndaj çfarëdo abuzimi, me mbështetjen tonë për drejtësinë, nuk është më një opsion për ne. Për më tepër, në këtë rast ky do të ishte një abuzim madhor, shumëdimensional, që do të cënonte shumëkënd e shumëçka, duke nisur nga vetë Kushtetuta dhe serioziteti i Republikës së Shqipërisë”, shkruan Rama në platformën “X”.
Nga ana tjetër, jo më larg se disa orë më parë, kreu i PD-së, Sali Berisha, në një deklaratë për shtyp nga selia blu, u shpreh se ai dhe të tjerët e përfshirë në çështjen “Partizani”, ashtu sikurse dhe avokatët e tyre, nuk ka asnjë vendim në dorë të marrë nga gjykatësja që ka dërguar dosjen për gjykim.
“Së pari, komenti im është vetëm ky: personalisht ne të interesuarit dhe trupa e mbrojtjes nuk ka gjer sot në dorë vendimin e marrë nga gjykatësja që ka dërguar çështjen për gjykim. Nuk kemi vendimin. A mund të imagjinoni ju? Edhe kjo ndodh. Të gjitha të tjerat do përcaktohen nga konsulta me avoketërit, e cila është jashtë kësaj salle”, tha Berisha.
Kujtojmë se kjo është hera e parë që nga krijimi i GJKKO-së, që në bankën e të akuzuarve do të ulët një ish-kryeministër, i cili do të gjykohet për veprën penale të korrupsionit pasiv.
Kjo deklaratë e bërë nga ana e Gjykatës Kushtetuese, vlen për të nxjerrë në pah pavarësinë e saj si institucion i drejtësisë, teksa ajo thekson se nuk ndikohet nga këto faktorë si më sipër, dhe se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash.
The post Deklaratat e Berishës dhe Ramës ndaj drejtësisë, GJK: E papranueshme të vihet në dyshim autoriteti i saj first appeared on JavaNews.al.