
Bernard Berisha largohet pas 8 vitesh nga Akhmat Grozny, e ardhmja e hapur për futbollistin e Kosovës
AA
Pas thuajse një dekade të suksesshme në futbollin rus, futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Bernard Berisha, i ka dhënë fund aventurës së tij me Akhmat Grozny-n. Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga klubi rus përmes faqes së tij zyrtare, duke i dhënë fund një kapitulli të rëndësishëm në karrierën e 33-vjeçarit.
Berisha ka qenë një nga figurat më të dalluara të skuadrës çeçene, ku luajti për plot tetë vite. Gjatë kësaj periudhe, ai regjistroi 199 paraqitje zyrtare, shënoi 28 gola dhe dhuroi 23 asistime, duke u bërë një nga lojtarët më me ndikim të Akhmatit në dekadën e fundit.
Me përfundimin e kontratës, Berisha tashmë është lojtar i lirë, çka i jep mundësinë të zgjedhë klubin e radhës pa asnjë kufizim. Sipas burimeve të afërta me lojtarin, disa oferta konkrete kanë mbërritur në adresë të tij dhe pritet që javët në vijim të jenë vendimtare për të ardhmen e tij.
Ky largim përbën një pikë kthese në karrierën e Bernard Berishës, i cili ka qenë jo vetëm lider në klub, por edhe një figurë e rëndësishme për Kombëtaren e Kosovës. Me përvojën e madhe dhe formën ende konkurruese, pritet që ai të jetë një përforcim i vlefshëm për çdo skuadër që synon cilësinë dhe përvojën.