
Aksion në 3 qytete! Kapet sasi e konsiderueshme droge, arrestohet çifti (Emrat)
Një operacion i koordinuar nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) ka goditur një rrjet të mirëorganizuar trafikantësh droge që operonte në disa qytete të Kosovës, përfshirë Prizrenin, Ferizajn dhe Prishtinën. Operacioni çoi në arrestimin e tre personave dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme kokaine.
Gjithçka nisi më 11 gusht 2025 në Prizren, kur autoritetet sekuestruan mbi 4.4 kilogramë kokainë dhe arrestuan 31-vjeçarin Hevzi Krabaj. Arrestimi i tij shërbeu si pikënisje për zgjerimin e hetimeve dhe identifikimin e anëtarëve të tjerë të përfshirë në këtë skemë kriminale.
Në orët e para të mëngjesit të 16 gushtit 2025, në Pikën Kufitare të Hanit të Elezit, Policia ndaloi për kontroll një makinë me targa belge, brenda së cilës ndodheshin Isak Husmani, rreth 57 vjeç, dhe Elmedina Rexhepi, rreth 30 vjeçe. Të dy u arrestuan menjëherë me dyshimin se kishin një rol kyç në transportin dhe shpërndarjen e kokainës. Më pas, ata u dërguan në zyrat e DHTN-së në Prizren për t’u marrë në pyetje në prani të avokatëve.
Njëkohësisht, DHTN në Ferizaj ndërmori një kontroll në banesën e Fidan Husmanit, rreth 28 vjeç, por ai nuk u gjet dhe aktualisht konsiderohet në arrati. Po ashtu, një kontroll u krye edhe në banesën e Elmedina Rexhepit në Prishtinë, por pa rezultate konkrete.
Si prova materiale, autoritetet kanë sekuestruar dy makina luksoze: një VW Arteon me targa belge dhe një VW Golf VIII. Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe autoritetet janë në kërkim të Fidan Husmanit, i cili dyshohet të jetë një hallkë kyçe e këtij rrjeti të trafikut të drogës.

Elmedina Rexhepi