
“Kur uniforma bashkëpunon me krimin”/ Arrestimi që tronditi Policinë e Kosovës – avokati ngre alarmin
AA
Së fundi, një zyrtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës është arrestuar në Mitrovicë, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe bashkëpunim me individë të përfshirë në aktivitete kriminale. Burime nga organet e hetuesisë kanë konfirmuar se bëhet fjalë për Murat Latifin, i cili dyshohet se ka pasur lidhje të vazhdueshme me familjen Gerbeshi – familje që aktualisht është nën hetim për veprimtari të jashtëligjshme.
Ky rast ka ngritur shqetësime serioze për nivelin e infiltrimit të grupeve kriminale në institucionet shtetërore dhe për ndikimin që kjo mund të ketë në sigurinë e qytetarëve të Kosovës.
E në lidhje me këtë temë dhe se sa është e rrezikuar siguria publike kur zyrtarë të rendit dyshohet se bashkëpunojnë me krimin, në një prononcim për “Bota sot” foli avokati Gazmend Halilaj.
Si fillim, ai vlersëson se çdoperson zyrtar që përfshihet në grupe kriminale, cenon jo vetëm sigurinë, poredhe besimin tek ligji.
“Çdo rast kur individë me përgjegjësi shtetërore dyshohen për lidhje me grupe kriminale, cenon jo vetëm sigurinë e qytetarëve, por edhe besimin e tyre tek institucionet e rendit dhe ligjit. Siguria nuk matet vetëm me praninë e policisë në rrugë, por mbi të gjitha me integritetin e atyre që mbajnë uniformën. Kur kjo ndershmëri vihet në dyshim, rreziku për shoqërinë është edhe më i madh, sepse krimi merr mbështetje nga brenda sistemit”.
Duke u nisur nga rasti i fundit në Mitrovicë, avokati kërkoi nga institucionet përgjegjëse, të marrin aksione edhe më të thella.
Sipas tij, është jetik pastrami i policisë nga njerëz të tillë.
“Rasti i fundit tregon qartë se organet përgjegjëse duhet të ndërmarrin aksione më të gjera dhe më të thella, jo vetëm kundër grupeve kriminale, por edhe ndaj individëve që i mbështesin ato nga brenda institucioneve. Pastrimi i radhëve të policisë dhe forcimi i mekanizmave të brendshëm të kontrollit është jetik, sepse vetëm një polici e pastër dhe profesionale mund të garantojë rend, siguri dhe sundim të ligjit në vend”, shpjegoi ai.
Ndër të tjera, Gazmend Halilaj për “Bota sot” shtoi se “është e pamundur tq hetohet njq grup i strukturuar kriminal e mos të ketë numër të policisë të përfshirë në shumë forma aty”.