
Gostivar: Koalicioni shqiptar synon fitore që në raundin e parë
Në Gostivar u mbajt mbledhja e radhës e Shtabit Zgjedhor të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), në prani të kryetarëve të Shtabeve Komunale të BDI-së dhe ASH-së, z. Nexhati Jakupi dhe z. Isak Lazami, kandidatit për kryetar komune, z. Valbon Limani, bartësit të listës për këshilltarë komunalë, z. Valdet Xhaferi, si dhe kryetarit të shtabit politik të BDI-së në Gostivar, z. Talat Xhaferi.
Pas mbledhjes, kandidatët dhe përfaqësuesit politikë u shprehën të bindur në fitoren e 19 tetorit.
“Kjo mbledhje tregoi unitetin e forcave tona politike në Gostivar. Ne kemi një plan të qartë dhe dinamikë të përbashkët për fushatën, e cila do të na çojë drejt fitores plebishitare,” deklaroi kandidati për kryetar komune, Valbon Limani.
Nga ana tjetër, bartësi i listës për këshilltarë, Valdet Xhaferi, theksoi rëndësinë e mobilizimit në terren:
“Me përfundimin e pushimeve verore dhe nisjen e vitit të ri shkollor, aktivitetet tona parazgjedhore do të intensifikohen. Do të jemi çdo ditë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët, për të dëshmuar se ky koalicion është alternativa e vetme serioze për Gostivarin.”
Ndërkaq, Talat Xhaferi nënvizoi karakterin unifikues të koalicionit:
“Ky është një shtab i përbashkët, ku secili subjekt ka rolin e vet. Ne po dëshmojmë se bashkimi është forca jonë më e madhe dhe garancia e fitores që në raundin e parë.”
Aleanca Kombëtare për Integrim – Gostivar e cilëson këtë fazë si hyrje në kulmin e fushatës, me mesazhin e qartë për mobilizim maksimal në terren. Flaka