
Osmani: Do t’i japim fund kaosit me ndërtime pa leje, Çairi do të bëhet shtëpi, e jo pre e mafies!
Çairi meriton rend, siguri dhe respektim të ligjit. Ky kaos do të marrë fund më 19 tetor”, deklaroi kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në konferencën për shtyp të mbajtur sot, duke theksuar se mbi 150 ndërtime pa leje janë ngritur nën mbrojtjen e pushtetit aktual komunal.
Osmani theksoi se Çairi është shndërruar në simbol të korrupsionit sistematik dhe të kaosit: “Këto ndërtime pa leje janë dëshmi e gjallë e aleancës mes interesave të biznesit dhe institucioneve, në dëm të qytetarëve. Por kjo përfundon. Do të bëjmë një revizion të plotë, secili që ka nënshkruar në mënyrë të paligjshme do të mbajë përgjegjësi. Do të vendosim një hartë digjitale publike ku çdo qytetar me një klikim do të dijë çfarë ndërtohet, ku ndërtohet dhe kush ndërton.
Do të shpallim moratorium për ndërtimet e dyshimta, ndërsa qytetarët e mashtruar do të fitojnë drejtësi dhe mbrojtje.” Në vizionin e tij për Çairin, Osmani paraqiti një plan konkret për vendosjen e rendit urbanistik dhe të një infrastrukture moderne. Ai paralajmëroi miratimin e një plani të ri urbanistik të detajuar për Çarshinë e Vjetër të Shkupit, i pari pas më shumë se njëzet vjetësh, me të cilin pronarët më në fund do të mund t’i rregullojnë pronat e tyre në mënyrë ligjore. Gjithashtu, për tërë territorin e Çairit do të miratohen plane të reja urbanistike të detajuara, me sipërfaqe të qarta ndërtimi, lartësi të objekteve si dhe infrastrukturë moderne rrugore dhe nëntokësore.
Osmani nënvizoi se do të sigurohet një zgjidhje e qëndrueshme për parkimin përmes ndërtimit të garazheve në kate dhe nëntokësore, ndërkohë që do të lirohen trotuaret për këmbësorët dhe do të krijohen kushte për shtigje biçikletash. Pjesë e planit është edhe rinovimi i plotë i infrastrukturës rrugore me asfaltim dhe zgjerim të rrugëve kryesore, vendosjen e një regjimi të ri komunikacioni dhe sinjalizim të përforcuar.
Një theks i veçantë u vu mbi cilësinë e jetës në Çair, duke paralajmëruar larje të rregullt të rrugëve, një sistem bashkëkohor për grumbullimin e mbeturinave dhe ndërtimin e parqeve e hapësirave të reja të gjelbra.
“Kjo është një betejë mes dy koncepteve: Çairi si pre e mafias ndërtimore ose Çairi si shtëpi për qytetarët. Unë jap zotimin tim personal, Çairi nuk do të jetë më parcelë private e askujt. Do të jetë hapësirë publike për jetë me dinjitet”, theksoi Osmani. “Ne do ta rikthejmë rendin, do ta mbrojmë djersën e ndershme të qytetarit dhe do ta vendosim drejtësinë atje ku ka munguar prej kohësh. Të bashkohemi në betejën për Çairin”, përfundoi Osmani.