Daniele De Rossi: I lumtur me fitoret, por ende s’kemi bërë asgjë
“Verdhekuqtë” mundën 4-0 Kaljarin për të marrë tri pikë të tjera të çmuara. Me Daniele De Rosin në stol, skuadra kryeqytetase është ngjitur nga vendi i 9-të në të 5-tin, në Serie A.
Në fund të ndeshjes në fjalë, ish-kapiteni verdhekuq, që e mori “stafetën” nga Murinjo, foli për kanalet zyrtare të klubit.
“Jam i lumtur. Ishte një ndeshje, pak si ajo kundër Veronës, por në pjesën e dytë nuk e lejuam kundërshtarin të kthehej në lojë. Jam i lumtur, ndeshja u menaxhua mirë”.
Që kur e kam marrë këtë detyrë, lojtarët e mi i shoh gjithnjë e më shumë të bindur se janë ekip i fortë. Nuk e di sa të fortë, ndoshta as ata nuk e dinë. Jemi një ekip i mirë, që kënaqemi bashkë. Po kalojmë një kohë të mirë. Pastaj, padyshim kur fitoni, ju punoni më mirë. Natyrisht, kemi shumë punë për të bërë. Ne në të vërtetë nuk kemi bërë asgjë.
Interi është një skuadër shumë e madhe, që luan shumë mirë. Sa herë që i shoh zikaltrit, ata duken më të fortë se më parë. Do të jetë një sprovë e mirë dhe e vështirë, por edhe ne jemi të fortë dhe do të luajmë hapur.