(VIDEO) LSDM dhe BDI kundërshtojnë shfuqizimin e qeverisë teknike
Kërkesa e shumicës parlamentare e cila mori dritë jeshile edhe në kuvend për shfuqizimin e ligjit për Qeveri teknike, ka ngjallur debat të gjërë në Kuvend dhe jashtë tij.
Kreu i opozitës, Venko Filipçe, ka deklaruar se shumica parlamentare tenton përmes kontrabandimit ta shfuqizojë ligjin për Qeveri teknike. Sipas Filipçes, ky veprim i Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-ja është jotransparent dhe në kundërshtim me konsensusin e deritanishëm politik dhe standardet demokratike.
VENKO FILIPÇE – KRYETAR I LSDM-SË
“Qeveria teknike është marrëveshje ndërpartiake e katër partive më të mëdha dhe është miratuar me konsensus. Vetëm me konsensus mund edhe të shfuqizohet. Edhe pse për ciklin e ardhshëm zgjedhor qeveria teknike mbetet, përsëri në mënyrë të fshehtë propozohet dhe synohet të miratohet një ndryshim sipas të cilit ministrat teknikë nuk do të mund të emërojnë këshilltarët e tyre të veçantë, por do të mund të zgjedhin vetëm nga radhët e këshilltarëve ekzistues”.
Kundër shfuqizimit është edhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Deputetja Arbana Pasholli tha se Qeveria teknike në fuqi erdhi pas një krize me marrëveshje me ndërkombëtarët dhe njëashtu duhet edhe të shfuqizohet.
ARBANA PASHOLLI – DEPUTETE BDI
“Kjo shumicë parlamentare të gjitha propozim ligjet të cilat janë me rëndësi jetike, i vendos me procedurë të shkurtuar. E dyta, sa i takon ligjit për Qeverinë, që diçka që është arritur me marrëveshje politike dhe me mbështetje të faktorit ndërkombëtarë do duhet të zhbëhet po në të njëjtën formë me marrëveshje politike dhe me ndërmjetësim ndërkombëtarë”.
BDI-së i reaguan nga VLEN. Deputetja Saranda Imeri Stafai, tha se reagimi i BDI-së është hipokrizi dhe tentim për të shtrembëruar realitetin politik. Sipas saj, Qeveria teknike nuk ishte standard demokratik që sot të mbrohet, por ishte zgjidhje emergjente e imponuar që lindi nga një krizë e thellë politike e krijuar nga skandalet e BDI-së dhe ish regjimit të Gruevskit.
SARANDA IMERI STAFAI – DEPUTETE VLEN
“Sot BDI-ja përpiqet të paraqesë si arritje që duhet mbrojtur duke fshehur faktin se vet ishte pjesë e problemit që e bëri të nevojshme një zgjedhje të tillë. Madje, në vitin 2023, po e njëjta BDI ka dhënë miratim për heqjen e Qeverisë teknike, andaj, lind pyetja e drejtëpërdrejtë. A u konsulltua BDI-ja me ndërkombëtarët kur kërkoi heqjen e Qeverisë teknike në vitin 2023?”
Ndryshe sot deputetët me shumicë votash e futën në procedurë parlamentare kërkesën e shumicës për shfuqizim të Qeverisë teknike dhe e njëjta pritet ti kalojë filtrat e komisioneve që më pastaj të vijë për miratim përfundimtarë në seancë plenare. Propozimi është që edhe zgjedhjet e ardhëshme të ketë Qeveri teknike, por menjëherë pas sajë e njëjta të shfuqizohet.
Mevludin Imeri /SHENJA/