(VIDEO) Ligji i ri i Arsimit të Lartë, Pasholli: VLEN-in e kapur euoforia e rrjeteve sociale
Ashtu siç ishte paralajmëruar, Ligji për Arsimin e Lartë është miratuar në qeveri. Zëvendëskryeministri, Bekim Sali tha se Ligji është miratuar në versionin final duke përfshirë të gjitha sugjerimet e universiteteve shqiptare, ndërsa theksoi se asnjë i punësuar nuk do të largohet nga puna. Ky ligj sipas Salit, ka qenë shumë i nevojshëm për tu miratuar për arsye se siç tha, nga viti 2018, sistemi arsimor ka hasur në disa vështirësi në funksionim dhe nuk ka reflektuar për nevojat reale të qyetetarëve për arsim të lartë cilësor.
BEKIM SALI, ZV/KRYEMINISTËR
“Kemi arritur që të kemi një ligj të rafinuar mirë dhe që do t’i përgjigjet të gjitha nevojave të arsimit të lartë në periudhën ardhshme, ajo nënkupton marrëveshjen…ose një pikë e rëndësishme, që ka qenë si shqetësim te punonjësit akademikë, heqja e H indeksit, e cila do të ishte në të kaluarën si kriter bazë për zgjedhje akademike, apo avancimet akademike, tani nuk do të jetë ajo, por do të jetë e drejtë e universiteve brenda për raste të caktuara, kur ka dy apo më tepër kandidatë, H-faktori të jetë një nga faktorët vendimarrës”.
Ndërkaq, kështu nuk mendon opozita. Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbana Pasholli, ka kritikuar koalicioin VLEN, duke thënë se ata i ka kapur euoforia e rrjeteve sociale, ndërsa tha se këtë ligj nuk do ta mbështesin.
ARBANA PASHOLLI, DEPUTETE E BDI-SË
“Mendoj se është një eufori, të cilën ato po e bëjnë jehonë nëpër rrjetet sociale. Mendoj që arritja për ta mënjanuar H indeksin është një shkas për t’u tërhequr vëmendja për probleme serioze të këtij propozim ligji, që kanë të bëjnë si me autonominë financiare, po ashtu edhe me centralizimin e vendimmarrjes”.
Kujtojmë se projektligji për arsimin e lartë, i cili pritet të zëvendësojë ligjin aktual, është prezantuar më 6 shkurt të këtij viti, ndërkohë, disa nga risitë e propozuara shkaktuan reagime në komunitetin akademik dhe nga partitë opozitare, të cilat kërkuan tërheqjen e tij. Edhe Sindikata e Pavarur Akademike kërkon tërheqjen e ligjit. Sipas tyre Ministria e Arsimit nuk i ka pranuar shumicën e vërejtjeve që kanë pas ata.
Samir Mustafa /SHENJA/