Evakuohet “City Mall” në Shkup pas kërcënimit për bombë
Sonte rreth orës 19:00 është evakuuar qendra tregtare “City Mall” në Shkup, pasi në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) ka arritur një kërcënim për mjete shpërthyese të vendosura në objekt.
Nga MPB bëjnë të ditur se kërcënimi është pranuar përmes një mesazhi elektronik.
“Në adresën elektronike të Ministrisë së Punëve të Brendshme është pranuar një mesazh me kërcënim se në qendrën tregtare ‘City Mall’ në Shkup janë vendosur mjete shpërthyese. Punonjësit e policisë po ndërmarrin masa dhe po kryejnë kontrolle në qendrat tregtare”, deklaruan nga MPB.
Sipas dëshmitarëve okularë, evakuimi është kryer me urgjencë dhe ka shkaktuar panik te qytetarët. Ata tregojnë se njerëzit janë drejtuar me nxitim drejt daljeve, ndërsa rojet e sigurisë kanë lejuar automjetet e parkuara të largohen pa pagesë.
Një banore e Shkupit, e cila ndodhej në kinema në momentin e incidentit, rrëfen se ndërprerja ka ndodhur gjatë shfaqjes së një filmi për Michael Jackson.
“Ishim duke parë filmin dhe papritur një përgjegjës erdhi në sallë dhe na kërkoi të dilnim menjëherë, pasi kishte urdhër për evakuim”, tha ajo.
Autoritetet vijojnë kontrollet në terren, ndërsa priten informacione shtesë për situatën.