(VIDEO) Mersim Maksuti dhe Jeton Shasivari debatojnë për ligjin e përfaqësimit të drejtë
Përveç partive politike, ligji i Qeverisë për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, ka përplasur edhe botën akademike. Profesorët Mersim Maksuti dhe Jeton Shasivari në emisionin e mbrëmshëm “Debat në Shenja” kanë shpalosur argumentet e tyre pro dhe kundër këtij ligji.
Për profesorin, Mersim Maksuti, ligji nuk ka elemente të ligjit. Maksuti nënvizoi se ligji nuk ka mekanizma shtrëngues, dhe ndëshkues prandaj tha se kjo ishte një ndër arsyet se përse ai u largua nga grupi kordinues.
MERSIM MAKSUTI – PROFESOR
“Ky trup koordinus nuk ka mekanizmin shtrëngimi, nuk ka mekanizmin detyrimi. Vetëm ky ka kompetencat të analizojë, të ndjeki, të monitorojë, dhe asgjë përtej kësaj. Dhe të kërkojë informacione prej institucioneve sa kanë zbatuar atë përfaqësimin adekuat. Çfarë ka kompetencë ky trup koordinus? Profileton vetëm të përgatisi raport dhe të paraqesi para qeverisë, asgjë më tepër”.
Nga ana tjetër, profesori Jeton Shasivari vlerësoi se ka ligje që nuk funksionojnë me gjoba, pasi ato nuk janë garancë se do të zbatohen. Shasivari theksoi se nevoja për një ligj të ri nuk erdhi vetëm si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e Balancuesit, por edhe nga kritikat e vazhdueshme të Komisionit Evropian.
JETON SHASIVARI – JURIST
“Nuk ka pasur agjenda politike. Secili kemi dhënë kontributin maksimal që zgjidhja finale të jetë sa më e mbrojtshme në aspektin kushtetues dhe të ndërtojë një sistem institucional funksional”.
Kur jemi tek ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat vlen të përmendet se përpos propozimit të Qeverisë, që është në procedurë parlamentare, edhe Ziadin Sela po në parlament e ka propozuar një propozim ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke e vlerësuar sit ë plotë sepse sipas opozitës, propozimi i Qeverisë është formal dhe nuk dëshiron zgjidhje të çështjes.
Mevludin Imeri /SHENJA/
