Kushtetuesja 7 herë ka kërkuar dokumente nga komuna dhe qeveria
Katër kërkesa drejtuar komunës së Tetovës dhe tre kërkesa drejtuar qeverisë, por të shtatat pa asnjë përgjigje. Gjykata Kushtetuese e publikoi vendimin me të cilin në vitin 2007 u riemërtuan dhjetëra rrugë, sheshe, ura dhe objekte publike në Tetovë.
Në arsyetimin e publikuar, Gjykata Kushtetuese bën të ditur se gjatë procedurës katër herë ka kërkuar nga Komuna e Tetovës dokumentacionin e plotë që ka paraprirë miratimin e vendimit. Megjithatë, komuna nuk ka dorëzuar as kërkesën drejtuar Qeverisë për marrjen e pëlqimit dhe as ndonjë dokument që dëshmon se një pëlqim i tillë është dhënë.
Për të verifikuar nëse ekzistonte një akt i tillë, Gjykata në tre raste i është drejtuar edhe Qeverisë, por as ajo nuk ka dorëzuar dokument që do të dëshmonte se kishte miratuar listën e emrave të propozuar nga Komuna e Tetovës.
Nga dokumentacioni i shqyrtuar, Gjykata ka konstatuar se nuk ka prova se është respektuar procedura ligjore e paraparë për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe hapësirave publike. Për këtë arsye, gjykatësit vlerësuan se vendimi është miratuar në kundërshtim me ligjin dhe me parimin kushtetues të sundimit të së drejtës.
Vendimi i shfuqizuar ishte miratuar në vitin 2007 dhe përfshinte ndryshimin e emrave të një numri të madh rrugësh, sheshesh dhe objektesh publike në Tetovë.
Samir Mustafa /SHENJA/