Kolonat e gjata në pikat kufitare Evzoni dhe Bogorodicë
Mijëra udhëtarë po përballen me pritje që zgjasin disa orë, për shkak që fillimi i sezonit veror turistik dhe fundjava kanë shkaktuar sërish kolona të gjata në pikat kufitare Evzoni dhe Bogorodicë. Në pikën kufitare Evzoni, që në orët e para të mëngjesit, janë krijuar kolona të gjata automjetesh për hyrje në Greqi. Ku numri i madh i turistëve që janë nisur drejt bregdetit grek ka tejkaluar kapacitetet e pikës kufitare, duke bërë që automjetet pothuajse ta mbushin të gjithë hapësirën mes dy kufijve.
Ndërkohë, që nga pasditja e djeshme, pritjet më të gjata janë regjistruar në pikën kufitare Bogorodicë, ku janë krijuar kolona kilometërshe për hyrje në Maqedoninë e Veriut. Sipas dëshmive të udhëtarëve të publikuara në rrjetet sociale, pritja për kontrollin e pasaportave zgjat deri në katër orë. Në kolona ka vetura, autobusë, autokampe dhe motoçikleta, ndërsa qarkullimi zhvillohet me ritëm të ngadalësuar.
Nga ana tjetër, në drejtimin e kundërt, për dalje nga Maqedonia e Veriut dhe hyrje në Greqi, aktualisht nuk ka pritje të mëdha, pasi fluksi i mëngjesit është zvogëluar gradualisht.
Autoritetet u bëjnë thirrje shoferëve që të ndjekin rregullisht gjendjen në pikat kufitare dhe, nëse kanë mundësi, të përdorin pika alternative ose ta planifikojnë udhëtimin jashtë orareve me fluksin më të madh. Por, si rekomandim shtesë, nga autoritetet këshillohet udhëtimi gjatë orëve të vona të mbrëmjes, ku sipas tyre, pavarësisht pritjeve të mundshme, temperaturat e larta të ditës janë dukshëm më të ulëta.
Sipas vlerësimeve nga terreni, trafiku i shtuar dhe kolonat e gjata në kufirin jugor pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës, për shkak të kthimit të turistëve dhe rritjes së numrit të udhëtarëve që kalojnë transit.
Ndërkohë, një fluks më i shtuar ka nisur të vërehet edhe në pikat kufitare të Tabanocit dhe atë të Bllacës, për shkak të nisjes së ardhjes së mërgimtarëve në vendlindje për pushimet verore.
Zebushe Ramadani /SHENJA/