BDI: Deklarata e Qokut për Marrëveshjen e Ohrit është mohim i arritjeve të shqiptarëve
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratës së Bekim Qokut, të cilën e cilëson si qëndrim kundër frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjeve politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Sipas BDI-së, deklarata e Qokut se Marrëveshja e Ohrit “nuk është fitore për t’u krenuar” përbën, siç thuhet në reagim, “fyerje ndaj sakrificës së shqiptarëve” dhe mohim të një marrëveshjeje që ndryshoi pozitën e tyre kushtetuese, institucionale dhe politike.
“Me Marrëveshjen e Ohrit burojnë përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, përdorimi i gjuhës shqipe, decentralizimi, Badenteri dhe fuqizimi i shqiptarëve si faktor vendimmarrës”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Kjo parti akuzon Qokun dhe VLEN-in se me këto qëndrime janë afruar me narrativat e VMRO-DPMNE-së dhe qarqeve që kanë kërkuar rishikimin e Marrëveshjes së Ohrit.
BDI-ja thekson se shqiptarët kanë arsye të krenohen me këtë marrëveshje, ndërsa akuzon VLEN-in se, sipas saj, për interesa politike ka filluar të përdorë qëndrime që vënë në pikëpyetje rëndësinë e saj.
Reagimi vjen pas deklaratave të Bekim Qokut lidhur me Marrëveshjen e Ohrit dhe rolin e saj në zhvillimet politike të vendit.
