Çairi nisi festimet e Nëntorit me programin artistik të shkollave fillore
Me një program festiv të përgatitur nga nxënësit e shkollave fillore të Komunës së Çairit, sonte në Teatrin Shqiptar në Shkup nisën aktivitetet e manifestimit “Çairi feston Nëntorin – 20 Vjet Krenari”. Përmes këngëve, recitaleve dhe valleve tradicionale, nxënësit sollën në skenë një program kushtuar Ditës së Alfabetit, Ditës së Flamurit dhe vlerave historike e kulturore të Nëntorit.
Aktivitetin e përshëndeti kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, Muhamed Murtezi, i cili vlerësoi angazhimin e nxënësve dhe mësimdhënësve, duke theksuar rëndësinë e edukimit të brezave të rinj në frymën e vlerave kombëtare. Në manifestim ishte e pranishme edhe deputetja Merita Koxhaxhiku, ndërsa me fjalë përshëndetëse u drejtua edhe Mjellma Gashi, përgjegjëse në Sektorin e Arsimit të Komunës së Çairit. Në përmbyllje u ndanë mirënjohje për mësimdhënësit që kontribuuan në realizimin e programit festiv, përfshirë edhe mësimdhënësit e artit figurativ.
Ky program shënoi hapjen e javës festive “20 Vjet Krenari”, të organizuar nga Komuna e Çairit në nder të 20-vjetorit të vendosjes së shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në sheshin që mban emrin e tij. Festimet do të vazhdojnë deri më 28 Nëntor me një sërë koncertesh dhe aktivitetesh kulturore, duke kulmuar me manifestimin qendror “20 Vjet Krenari” në Sheshin “Skënderbeu”.