Konjufca takohet me homologun grek në Athinë – i kërkon njohjen e Kosovës si shtet
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, është takuar sot në Athinë me homologun e tij grek, George Gerapetritis, raporton Veriu.info.
Konjufca ka vlerësuar se mbështetja e Greqisë për liberalizimin e vizave për Kosovën i ka dhënë vlerë të drejtpërdrejtë bashkëpunimit dypalësh.
Ai gjithashtu i ka kërkuar ministrit të jashtëm grek njohjen e Republikës së Kosovës, duke e cilësuar atë si një hap me peshë për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për fqinjësinë e mirë në rajon.
Postimi i tij:
Pas shkëmbimit të fundit që pata në Delfi këtë pranverë, sot në Athinë pata kënaqësinë të takoj ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, George Gerapetritis.
Përkrahja që Greqia dha për liberalizimin e vizave për Kosovën është ndër hapat që i kanë dhënë vlerë të drejtpërdrejtë bashkëpunimit mes dy vendeve tona. E çmojmë këtë përkrahje dhe duam që bashkëpunimi mes Kosovës dhe Greqisë të marrë edhe më shumë hov përmes dialogut politik më të rregullt e lidhjeve më të forta ekonomike.
Njohja e Republikës së Kosovës nga Greqia do të ishte një hap me peshë për marrëdhëniet tona dhe për fqinjësinë e mirë në rajon. Këtë bindje e ndava me ministrin Gerapetritis, bashkë me ftesën që bisedën e rradhës ta vazhdojmë në Kosovë.