RMV kremton Ilindenin, urime për unitet dhe paqe
Maqedonia e Veriut sot shënon festën kombëtare 2 Gushti, Ilinden – Dita e Republikës, një nga datat më të rëndësishme në historinë e vendit. Me këtë rast, krerët e shtetit dhe funksionarë të tjerë kanë përcjellë urime për qytetarët, duke vlerësuar rëndësinë historike të kësaj feste dhe duke bërë thirrje për unitet, përparim dhe mirëqenie. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova përcolli urimet e saj nga ku po ashtru e shënoi festën e Ilindenit me vendosjen e luleve pranë monumenteve në Shkup, duke theksuar rëndësinë historike të 2 Gushtit.
Gordana Siljanovska Davkova, Presidente
“E fillova kremtimin e 2 gushtit në Shkup duke vendosur lule para monumentit të kryetarit të Republikës së Krushevës, Nikolla Karev, para monumentit të KAÇKM-së dhe para monumentit të presidentit të parë të kryetarit të KAÇKM-së, Metodija Andonov-Çento. Ilindeni është një ditë e vërtetë për të kujtuar dhe përkujtuar luftën e shumë brezave për një shtet të pavarur maqedonas”.
Ndërkaq kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka uruar qytetarët me rastin e 2 Gushtit, duke theksuar se kjo datë simbolizon vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti dhe përgjegjësinë e përbashkët për forcimin e tij.
Afrim Gashi, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut
“2 Gushti përkujton dy ngjarje kyçe – Kryengritjen e Ilindenit të vitit 1903 dhe Mbledhjen e Parë të KAÇKM-së në Prohor Pçinski në vitin 1944, të cilat përfaqësojnë aspiratën për një shtet të bazuar në liri, demokraci dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve”.
Po ashtu Kryeministri Hristijan Mickoski sot në fjalimin e tij në Qendrën memoriale KAÇKM në Pelincë, tha se çdo gjeneratë e ka Ilindenin e vet, me misionin dhe detyrën e vet, ndërsa ky i tanishmi ka detyrën ta mbajë vendin të fortë, ta bëjë atë me prosperitet, të drejtë dhe përsëri një vend në të cilin njerëzit do të besojnë se ia vlen të qëndrosh dhe të ndërtosh të ardhmen.
Hristijan Mickoski, Kryeministër
“Historia nuk na kërkon të përsërisim hapat e popullit të Ilindenit dhe Asnomit, por të tregojmë të njëjtën guxim që ata treguan. Çdo brez ka Ilindenin e vet. Disa luftuan për liri, disa për një shtet, dhe brezi ynë ka detyrën ta ruajë Maqedoninë të fortë, të drejtë dhe të begatë, një shtet në të cilin të rinjtë do të besojnë se ia vlen të qëndrosh, të krijosh, dhe të ndërtosh të ardhmen pikërisht këtu”.
Edhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipce, uroi 2 Gushtin nga Krusheva nga ku tha se respekti i vërtetë për popullin e Ilindenit tregohet duke ndërtuar një të ardhme më të mirë, dhe jo duke mbetur i bllokuar në të kaluarën.
Venko Filipce, Kryetari i LSDM-së
“Kujtimi i Ilindenit ka vlerë të vërtetë vetëm nëse na shërben për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Prandaj po luftojmë për një Maqedoni në të cilën sundon ligji, jo interesi partiak. Për një Maqedoni në të cilën ka ujë të pastër, paga të mira dhe perspektivë për të rinjtë”.
Ndërkaq kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, duke përcjell mesazhe urimi për festën e Ilindenit, thekson faktin se ideali i Manifestit të Krushevës për barazi, respekt dhe bashkëjetesë po zbehet, ndërsa vendi, po largohet nga këto vlera. Për Ahmetin sulmet ndaj përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, anulimi i mekanizmave që sigurojnë përfaqësimin adekuat si dhe shumë veprime tjera të pushtetit aktual janë shqetësuese për drejtimin që po merr vendi.
Ali Ahmeti, Kryetari i BDI-së
“2 Gushti na rikthen te një nga idealet më fisnike të historisë sonë të përbashkët, bindja se liria nuk ndërtohet mbi epërsinë e njërit ndaj tjetrit, por mbi barazinë, respektin dhe bashkëjetesën. Fatkeqësisht, pas më shumë se një shekulli, në vend që t’i afrohemi atij ideali, po largohemi prej tij. Në vend të partneritetit po rikthehet logjika e dominimit, ndërsa në vend të përfshirjes po thellohet përjashtimi”.
Urime për këtë festë kanë përcjellë edhe shumë krerë të tjerë shtetërorë dhe politikë, si dhe partitë politike në vend. Ata kanë vlerësuar rëndësinë historike të Ilindenit dhe kanë përcjellë mesazhe për unitet, paqe dhe përparim të qytetarëve.
Anida Murati /SHENJA/
