LSDM: Mickoski dhe Klekovski po përhapin panik duke mos e publikuar dokumentin për ujin në Gostivar
Kanë kaluar gjashtë javë, ndërsa ende nuk është publikuar një analizë e plotë, zyrtare dhe e nënshkruar për cilësinë e ujit në Gostivar, akuzojnë nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë.
Sipas partisë opozitare, pasiguria dhe mosbesimi te qytetarët po shkaktohen nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Shaban Klekovski, të cilëve u kërkohet të sqarojnë përse raporti i plotë nuk është bërë publik.
“Për një muaj u dhanë deklarata kundërthënëse: fillimisht u vendosën ndalesa, më pas u tha se uji mund të përdorej për nevoja teknike, pastaj u raportua për baktere dhe viruse të reja, ndërsa në fund qytetarët u siguruan se uji mund të pihej. Megjithatë, asnjëherë nuk u publikua dokumenti i plotë”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga partia pretendojnë se, pas 22 ditësh me ujë të ndotur dhe rreth 5.000 personave të sëmurë, qytetarët kanë të drejtë t’i shohin të gjitha mostrat, analizat laboratorike, datat, bakteret dhe vlerat e konstatuara, si dhe institucionet që i kanë kryer testimet.
LSDM kërkon gjithashtu të bëhet e ditur se kush, mbi bazën e cilave rezultate dhe me nënshkrimin e kujt, ka konstatuar se uji në Gostivar është i sigurt për konsum.
“Siguria e ujit të pijshëm është çështje e shëndetit publik, prandaj të gjitha informacionet duhet të publikohen në një raport të vetëm, të plotë dhe të nënshkruar nga personat përgjegjës”, theksojnë nga LSDM-ja.
