LSDM: VMRO mori kontrollin e plotë të të gjitha institucioneve
LSDM-ja vlerëson se brenda dy vjetësh e gjysmë në pushtet VMRO mori kontrollin e plotë të të gjitha institucioneve, e partizanoi policinë, Shërbimin Kombëtar të Inteligjencës dhe i vuri prokurorët dhe gjykatat nën kontrollin e vet. Sipas partisë opozitare, ata zëvendësuan prokurorin publik, gruaja e një ish-kryetari komune të VMRO-së u zgjodh në Këshillin Gjyqësor, dhe u zgjodh gjithashtu një prokuror i lidhur me ish-kreun e DSK-së Sasho Mijalkov.
Natasha Popoviq, anëtare e Këshillit Ekzekutiv të LSDM-së deklaroi se Mickoski u caktoi publikisht detyra prokurorëve dhe gjyqtarëve nga foltorja parlamentare, në televizion dhe me telefon.
NATASHA POPOVIQ, ANËTARE E KËSHILLIT EKZEKUTIV TË LSDM-SË
“Komisioni Evropian, në raportin e tij të fundit, vëren qartë ndërhyrjen në gjyqësor dhe prokurori, mungesën e reformave, korrupsionin e përhapur dhe prokurimin publik problematik. Ekipi antikorrupsion i LSDM-së zbuloi tendera dhe skandale me vlerë 200 milionë euro, por nuk ka llogaridhënie. Nikola Gruevski shpëtohet nga përgjegjësia, dhe prona e fituar kriminalisht e VMRO-së është përsëri në duart e partisë. Ndërsa Mickoski flet për “llum” dhe “elitë”, ndërsa ulet pranë prokurorit të shtetit dhe dërgon kërcënime”
Më tej, Popoviq ka përmendur edhe raste tjera, ku sipas tyre është vërejtur dora qeveritare.
NATASHA POPOVIQ, ANËTARE E KËSHILIT EKZEKUTIV TË LSDM-SË
“Kur një person i afërt me Sekretarin e Përgjithshëm të Qeverisë kapet në një rast ryshfeti, procedura ndërpritet menjëherë. Kur truproja e Mickoskit sulmon një grua, sistemi e liron atë.
Kur pesë ton drogë kalojnë kufirin në rrugën e tyre për në Serbi, nuk ka përgjegjësi politike apo institucionale. Akuzat penale kundër Mickoskit dhe zyrtarëve qeveritarë hidhen poshtë brenda natës. Akuzat në lidhje me helmimin e ujit në Gostivar janë në pritje në prokurori, pa përgjigje dhe pa përgjegjësi”
Ajo ka deklaruar se kur zyrtarët qeveritarë kanë kompani në Bullgari dhe pasaporta bullgare – institucionet heshtin. Sipas anëtares së LSDM-së, kur ministrat qeveritarë lavdërojnë Ratko Mladiçin, një kriminel lufte të dënuar për gjenocid – qeveria dhe institucionet heshtin. /SHENJA/