Paralajmërohen dy linja të reja hekurudhore në Shkup
Udhëtimi nga qendra e Shkupit deri te terminali i Aeroportit do të zgjasë vetëm 8 deri në 11 minuta. Sipas zëvendëskryeministrit Aleksandar Nikolloski, kjo do të bëhet e mundshme pas ndërtimit të një linje të shpejtë hekurudhore që do të lidhë drejtpërdrejt Stacionin e Ri Hekurudhor me Aeroportin Ndërkombëtar. Projekti është pjesë e planit për modernizimin e transportit hekurudhor dhe transformimin e transportit publik në kryeqytet dhe pritet të nisë pranverën e ardhshme. Pas funksionalizimit të linjës së parë të trenit urban, autoritetet po përgatisin edhe zgjerimin e rrjetit. Sipas Nikolloskit, reagimet e para të qytetarëve ndaj trenit urban kanë qenë shumë pozitive, ndërsa përdorimi i trenave elektrikë synon të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit nga zonat periferike drejt qendrës.