Veç edhe 12 ditë afat për Presidentin, a do të evitohen zgjedhjet e katërta në dy vjet?
Gjykatës Kushtetuese iu desh të fliste edhe një herë. Sipas asaj që vendosi autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, kanë mbetur vetëm edhe 12 ditë afat për zgjedhjen e Presidentit. Në të kundërtën, vendi shkon sërish në zgjedhje të reja parlamentare, që do të ishin të katërtat në dy vjet.
Konstituimi i Kuvendit me mbi një muaj vonesë dhe zgjedhja e qeverisë së re në të njëjtën ditë më 13 shtator nuk e ka zgjidhur krizën politike në vend.
Ende duhet të zgjidhet Presidenti, dhe për këtë, Gjykata Kushtetuese konstatoi të mërkurën se kanë mbetur vetëm edhe pak ditë afat.
Kushtetuesja konstatoi se Kuvendi u konstituua pas kalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë, dhe se qeveria e zgjedhur më pas nuk është në kundërshtim me aktin më të lartë juridik të shtetit.
Partitë politike tani kanë 12 ditë afat për ta zgjedhur Presidentin. Dështimi do ta çonte vendin sërish në zgjedhje të reja parlamentare, që do të ishin të katërtat në dy vjet.
Gjykata Kushtetuese tha se deri më 8 gusht ishte afati për konstituimin e Kuvendit dhe prej asaj dite ka nisur të rrjedhë afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit. Kështu, Kushtetuesja tha se ky afat “përfundon më 6 tetor 2026”. Presidenti duhet të zgjidhet deri në atë datë, në të kundërtën, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat do të duhej të mbaheshin brenda 45 ditësh nga ajo datë.
Me vështirësitë e qarta përpara dhe një ditë pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë së re, Bekim Sejdiu, për të cilin kryeministri, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin dakorduar për ta zgjedhur President, u tërhoq.
Tërheqjen e kandidaturës, diplomati dhe profesori i Juridikut me përvojë në drejtësi kushtetuese e arsyetoi duke thënë se i tërë procesi devijoi “në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike”.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si Presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, kishte shkruar ai në një postim në Facebook.
Sejdiu thoshte se kishte besuar se partitë politike parlamentare dhe deputetët do t’i tejkalonin ndasitë “apo çfarëdo interesi tjetër, për t’i dhënë vendit institucione stabile në këto kohë të vështira dhe me plot sfida”.
Për tërheqjen, ai tha se i kishte njoftuar paraprakisht Kurtin e Abdixhikun, të cilët në fund të gushtit ishin marrë vesh që Sejdiu të ishte kandidati i përbashkët për President.
Sejdiu tha se vendi dhe qytetarët “nuk kanë nevojë për drama politike” dhe se shpresonte që partitë politike do ta gjejnë një rrugëdalje nga kjo situatë të cilën ai e quajti “rreth vicioz, i cili, më shumë se çdo gjë tjetër, po e venitë shpresën e qytetarëve për një të ardhme prosperuese për ta dhe familjet e tyre”.
Zgjedhja e Bekim Sejdiut President u duk e vështirë qysh në fillim, menjëherë pasi Kurti dhe Abdixhiku u dakorduan për të.
LDK-ja të nesërmen kishte mbajtur një mbledhje të grupit parlamentar, në të cilën të paktën gjashtë deputetë të kësaj partie dolën kundër kësaj marrëveshjeje.
Deputetët e LDK-së që dolën kundër marrëveshjes për kandidaturën e Sejdiut dhanë arsyetimet e tyre, ndërsa kundërshtime patën edhe nënkryetarë të partisë si Imri Ahmeti dhe Gazmend Muhaxheri, të cilët thanë se emri i kandidatit do të duhej të ishte diskutuar paraprakisht në Këshillin e Përgjithshëm të partisë.
Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk e merr shumicën prej 80 votash në dy votimet e para, Kushtetuta parasheh organizimin e një votimi të tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr të paktën 61 vota zgjidhet President.
Më shumë se një muaj pas nisjes së seancës konstituive, dhe më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, LVV-ja vendosi që ta bënte të mundur konstituimin e Kuvendit dhe ta zgjidhte një qeveri të re.
Me kërkesë të Kurtit, seanca konstituive e Kuvendit që kishte nisur më 6 gusht ishte ndërprerë dy herë radhazi ato ditë, kur ai nuk e propozonte kandidatin për kryeparlamentar, siç kërkohet me Kushtetutë, pasi e konsideronte të padobishme që të zgjidhej kryeparlamentari dhe nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit. Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, më 7 gusht në mesnatë ka përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari – deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga LVV-ja – e kishte caktuar për 8 gusht vazhdimin e seancës konstituive, e cila ishte ndërprerë nga ai në po të njëjtën mënyrë si ditën kur nisi, duke mos vazhduar deri pas javës së parë të shtatorit.
LVV-ja kishte insistuar se seanca konstituive nuk do të vazhdonte pa një marrëveshje paraprake për Presidentin, afati 60-ditor për zgjedhjen e të cilit do të fillonte të rridhte vetëm pasi të konstituohej Kuvendi.
Deputetët e PDK-së dhe Aleancës – të cilët nuk morën pjesë në seancën konstituive të Kuvendit dhe as në seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e qeverisë – thanë se LVV-ja e kishte zvarritur konstituimin e Kuvendit deri në atë ditë, me qëllimin që afati kushtetues 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të fillojë të rrjedhë tash për të përfunduar në kohën e përshtatshme për t’i çuar zgjedhjet e reja në fund të dhjetorit, kur mërgimtarët zakonisht vijnë në Kosovë për pushime. Por aktgjykimi i djeshëm i Kushtetueses ka hapur llogari të tjera.