Flet më në fund Erjon Vishkulli, i riu që u godit në sy me plumb gome gjatë protestës: “Po përballem me një sfidë për shikimin”
Erjon Vishkulli, i riu që u godit në sy nga policia me plumb gome gjatë protestës, ka reaguar publikisht përmes një mesazhi emocionues, duke falënderuar të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë në këto ditë të vështira.
Vishkulli bën të ditur se, përveç dhimbjes së madhe që ka përjetuar, po përballet edhe me një sfidë të rëndësishme lidhur me shikimin e syrit të dëmtuar.
Ai ka shprehur mirënjohje për familjarët, miqtë dhe shqiptarët nga e gjithë bota, të cilët e kanë mbështetur përmes mesazheve, telefonatave dhe lutjeve.
“Ju më treguat se nuk jam vetëm”, shkruan Vishkulli, duke theksuar se solidariteti dhe mbështetja e marrë i kanë dhënë forcë dhe shpresë për të vazhduar përpara.
Në fund të mesazhit, ai falënderon Zotin për jetën dhe forcën, ndërsa shpreson që kjo sfidë shëndetësore të përfundojë me sukses.
“Mirënjohje pafund! U shtofshin shqiptarët e mirë”, përfundon mesazhin e tij Erjon Vishkulli./Shprehja