Aeroportet në Maqedoninë e Veriut shënojnë rritje të pasagjerëve për 31.2% në periudhën janar-maj 2026
Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe Aeroporti “Shën Apostull Pali” i Ohrit, të menaxhuar nga TAV Maqedonia, një degë e TAV Airports, anëtare e Grupit ADP, vazhdojnë të shënojnë nivele dyshifrore të rritjes së pasagjerëve.
Në pesë muajt e parë të vitit 2026, në periudhën janar – maj, dy aeroportet e Maqedonisë së Veriut shërbyen 31.2% më shumë pasagjerë sesa në të njëjtën periudhë në vitin 2025, ose një total prej 1.6 milion pasagjerësh (1,580,932), ndërsa numri i fluturimeve u rrit me 9.5% me një total prej 10,595 fluturimesh të shërbyera.
Njëkohësisht me analizën e statistikave të TAV Maqedoni për 5 muajt e parë, Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve për Evropën (ACI Europe) publikoi analizën e trafikut ajror për prillin e vitit 2026, në të cilën Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe Aeroporti i Ohrit renditen si aeroportet me rritjen më të shpejtë që vijnë nga një vend jashtë BE-së.
Sipas analizës së ACI Europe, ndërsa vendet jo-anëtare të BE-së dhe vendet e BE-së po regjistrojnë shifra negative të trafikut të pasagjerëve (-7.6%) për herë të parë që nga rimëkëmbja nga kovid, një numër më i vogël tregjesh si Maqedonia e Veriut (+30.6%), Shqipëria (+25.3%) dhe Moldavia (+24.6%), të cilat i përkasin Evropës gjeografike, por janë vende jashtë BE-së, vazhdojnë të shënojnë rritje mbresëlënëse.