Angelov: Dramë në Çanishte, zjarri depërtoi mes shtëpive
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov ka theksuar se gjatë ditës së djeshme kanë shpërthyer 29 zjarre në hapësira të hapura, prej të cilave 23 janë shuar, ndërsa gjashtë janë ende aktive edhe këtë paradite. Angelov ka njoftuar se mbrëmë ka pasur një dramë të vërtetë në fshatin Çanishte, rreth tridhjetë kilometra larg Prilepit. Sipas tij, zjarri ka depërtuar mes shtëpive të fshatit, por nuk është djegur asnjë shtëpi në të cilën jetojnë banorët e mbetur në fshat.
STOJANCE ANGELOV-DREJTORI I DREJTORISË PËR MBROJTJE DHE SHPËTIM
“Mirënjohje shumë e madhe për zjarrfikësit e Prilepit, të cilët me përkushtim të madh luftuan me zjarrin dhe arritën të shpëtonin pjesën më të madhe të fshatit. Falënderime edhe për zjarrfikësit vullnetarë nga Manastiri, të cilët u angazhuan përmes ekipit për reagim të shpejtë të Drejtorisë dhe punuan gjatë gjithë natës, madje po punojnë edhe tani. Ata shuan një sipërfaqe të madhe të përfshirë nga zjarri dhe mendoj se sot do ta vendosim këtë zjarr nën kontroll të plotë”.
Angelov tha se, situata tjetër serioze ka qenë zjarri në territorin e Komunës së Jegunovcit, i cili ka depërtuar në afërsi të fshatit Tudencë dhe ka rrezikuar manastirin. Ai sqaroi se, për shkak të rrezikut të madh për manastirin dhe mungesës së zjarrfikësve nga Tetova, ai dërgoi ekipe të Drejtorisë me vullnetarë nga Gostivari, Çairi dhe Tetova për shuarjen e zjarrit dhe mbrojtjen e manastirit.
Karakteristikë e përbashkët e të gjitha këtyre zjarreve është se askund nuk po digjet pyll cilësor dhe, për momentin, nuk kemi fshatra të rrezikuara, ka deklaruar Angelov. Ai theksoi gjithashtu se deponia e Kratovës është mbuluar plotësisht dhe nuk po e ndot ajrin në qytet.
Zebushe Ramadani /SHENJA/
