ASH përfundimisht i takon Taravarit, Apeli hodhi poshtë ankesën e Selës
Gjykata e Apelit sot ka hedhur poshtë ankesën e paraqitur nga Ziadin Sela, duke konfirmuar vendimin e shkallës së parë dhe duke i dhënë kështu zyrtarisht të drejtën Arben Taravarit mbi Aleancën për Shqiptarët (ASH).
Me këtë vendim të shkallës së dytë, përfundon beteja disavjeçare gjyqësore për legjitimitetin, kryetarin dhe vulat e partisë, ku Taravari mbetet kryetar i njohur ligjërisht në Regjistrin gjyqësor të partive politike.
Vendimi i Apelit vjen pas aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Tetovës të marrë në mars të vitit 2026. Pas seancës dëgjimore të mbajtur më 3 mars 2026, Gjykata e Tetovës kishte bashkuar në një procedurë të vetme kërkesat e kundërta të të dyja palëve dhe kishte vendosur në favor të krahut të udhëhequr nga Arben Taravari, duke refuzuar si të pabazuara kërkesat e Ziadin Selës.
Sipas vendimit të konfirmuar nga gjykata, pranohet kërkesa e paraqitur nga Arben Taravari më 7 mars 2024 për ndryshime në statutin e partisë. Me këtë akt, shfuqizohet statuti i miratuar në Kongresin e 3-të të jashtëzakonshëm të 24 dhjetorit 2022 dhe rikthehet në fuqi statuti i miratuar në Kongresin e 2-të të datës 27 mars 2022, në përputhje me vendimin e Kongresit të 4-t të jashtëzakonshëm të mbajtur më 16 shkurt 2024 në Shkup. Nga ana tjetër, u refuzua kërkesa e Selës për t’u regjistruar si kryetar i ri dhe për të miratuar ndryshime të tjera statutare.
Pas vendimit të shkallës së parë në mars, krahu i Ziadin Selës kishte paralajmëruar ankesën në Apel, duke e cilësuar procesin gjyqësor të ndikuar. Nga ASH-ja e Selës patën deklaruar se kishin zhvilluar një betejë të bindur në të drejtën e tyre statutare dhe ligjore, por duke akuzuar sistemin gjyqësor dhe Taravarin.(INA)