ASH-Sela: MASH ndan bursa vetëm për gjuhën maqedonase, diskriminohen studentët e gjuhës shqipe
Aleanca për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës) ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për shpalljen e një thirrjeje për bursa që, sipas tyre, favorizon vetëm studentët e katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Maqedonase.
Në njoftimin e dërguar në të gjitha universitetet publike dhe private, përfshirë edhe Universitetin e Tetovës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se do të ndajë 15 bursa për studentët që do të regjistrohen në vitin e parë në këtë katedër. Sipas reagimit të ASH-së, bursa të ngjashme nuk janë parashikuar për studimet e Gjuhës Shqipe, për të cilën nuk është dhënë asnjë sqarim.
Aleanca për Shqiptarët e ka cilësuar këtë vendim si diskriminues dhe racist, duke kërkuar tërheqjen dhe korrigjimin e tij.
“Nëse MASH mbështet studimet e gjuhëve, kjo duhet të vlejë për të gjitha gjuhët dhe etnitë, e jo ekskluzivisht vetëm për gjuhën maqedonase. Ky njoftim dëshmon edhe një herë qasjen e Qeverisë ndaj Gjuhës Shqipe, e cila, sipas tyre, ka filluar më herët me tendenca për kufizimin e përdorimit të saj, si dhe me iniciativën e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”, thuhet në reagimin e ASH-së.