
ASH: VLEN premtuan, por nuk realizuan asgjë për Zonat Ekonomike Shqiptare
Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar koalicionin VLEN për mashtrim elektoral dhe dështim në realizimin e premtimeve për zhvillim të barabartë ekonomik në rajonet shqiptare.
“Koalicioni VLEN, që tashmë është dëshmuar se s’vlen për shqiptarët, në fushatë zgjedhore premtoi ‘zhvillim të barabartë të zonave ekonomike’ dhe investime të drejtuara në mënyrë të drejtë në të gjitha rajonet planore të vendit,” theksojnë nga ASH.
Nga kjo parti kujtojnë se ishte premtuar që Zonës së Vizbegut do t’i jepej status i veçantë dhe do të centralizoheshin kompetencat urbanistike e infrastrukturore, se do të përshpejtohej ndërtimi i kanalizimit, ujësjellësit dhe rrjetit rrugor, si dhe krijimi i transportit publik në atë zonë.
“Po ashtu, u premtua barazimi ligjor dhe investues i Zonave të Lira Ekonomike të Vizbegut, Strugës, Kërçovës, Tetovës dhe Likovës me zonat tjera. Madje, premtuan që njëra nga zonat të rikonceptohej si Zonë e Lirë Ekonomike për mërgatën, ndërsa një zonë tjetër të shpallej Zonë e Lirë Ekonomike Rinore, e dedikuar për start-up-et dhe teknologjinë,” theksojnë nga ASH.
Por sipas Aleancës, realiteti në terren është krejt ndryshe.
“Sot, pas gati një vit e gjysmë qeverisje, pyesim: çfarë u realizua nga këto premtime madhështore? Në Vizbeg, Strugë, Kërçovë, Tetovë e Likovë nuk ka asnjë investim të ri, asnjë projekt të përfunduar dhe asnjë hap konkret për të sjellë barazinë e premtuar,” thuhet në reagim.
ASH thotë se ndërkohë investimet po shkojnë vetëm në rajonet maqedonase.
“Në Strumicë, Shtip e Prilep, për çdo ditë shohim promovime të investimeve të reja, hapje fabrikash dhe punësime. Këtu shihet qartë se premtimi për ‘zhvillim të barabartë’ ishte vetëm mashtrim elektoral, ndërsa investimet vazhdojnë të orientohen vetëm në rajonet maqedonase,” thekson ASH.
Në fund, kjo parti drejton një pyetje publike ndaj koalicionit qeverisës:
“A kishit menduar për Zonat Ekonomike të Strumicës e Shtipit kur premtonit Vizbegun, Strugën, Kërçovën, Tetovën e Likovën? Apo mashtrimi i shqiptarëve ka qenë qëllimi i vetëm?”
“Shqiptarët e dinë mirë se kush mbron interesat e tyre dhe kush i mashtron me fjalë boshe,” përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët. Flaka Media